Kupa e Shqipërisë, nesër përurohet kompleksi Partizani, FSHF jep lejen për të luajtur në “shtëpi”

schedule15:48 - 27 Shtator, 2022

schedule 15:48 - 27 Shtator, 2022

Kompleksi i ri i Partizanit u duk se do të kishte fatin e “Pëlhurës së Penelopës”, por fati e deshi që të mos ishte kështu.

Që nga koha e firmosjes së kontratës me Ministrinë e Mbrojtjes në shtator 2016, dhe pas një periudhe 6-vjeçare me punime dhe me ndërprerje për shkaqe financiare, pritjes i erdhi fundi. Ditën e nesërme, në orën 15:00, Partizani do të përurojë qendrën stërvitore me ndeshjen e turit të parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Orikut.

Edhe pse punimet nuk kanë përfunduar, madje do të duhet kohë që kjo të ndodhë, sërish kryesorja është arritur. Ekipi ka një fushë me bar natyral ku stërvitet dhe ku do të luajë nesër, si dhe ka dy tribunat e stadiumit që tashmë mund të presin publikun.

Burime në klub pohojnë se hyrja e tifozëve do të jetë falas dhe se ata pritet të jenë jo pak, por plot 4 000. Në total, kostoja e kompleksit shkon në mbi 15 milionë euro, gjë që shpjegon se përse investimi është shtrirë në 6 vjet dhe ende nuk është mbyllur.

Hoteli është në fazën e pajisjes së brendshmi, ndërsa vonesat tani vijnë nga fakti se ende nuk janë shembur dy ndërtesa ekzistuese në territorin që përfshin qendra sportive.

Partizani e ka marrë një ndihmë edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit që ka investuar për fushën, stolat, ndriçimin, portat apo dhomat e zhveshjes.

Të kuqtë bëhen i dyti klub i kryeqytetit që tashmë ka shtëpinë e tij, ashtu si edhe Tirana që gjithmonë ka pasur kompleksin “Selman Stërmasi’ në Qytetin e Nxënësve. Dinamo ende vuan tjetërsimin e kompleksit të saj, që është kthyer sot në Shtëpinë e Federatës dhe në Qendrën Olimpike, e pritet të vendoset në një kompleks në Arbanë./abcnews.al/