Kupa e Italisë, finalja e shqiptarëve

schedule13:50 - 15 Maj, 2019

schedule 13:50 - 15 Maj, 2019

Do të jetë një finale mes shqiptarëve ajo e Kupës së Italisë. Tomas Strakosha sfidon Gjimshitin dhe Etrit Berishën, në duelin mes Atalantës dhe Lacios në “Olimpiko” të Romës.

Edhe presidenti i nderoi përpara duelit vendimtar.

Numri 1 i shtetit italian, Serxho Matarela, priti në Pallatin Kuirinale të Romës, futbollistët e Lacios dhe Atalantës, që do të luajnë finalen e Kupës së Italisë, e mes tyre edhe shqiptarët.

Etrit Berisha në fushë dhe Igli Tare si drejtor sportiv, janë shqiptarët e Lacios, ndërsa Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha janë ata të Atalantës.

Vetëm disa prej tyre do të kenë fatin dhe kënaqësinë që të fitojnë trofeun e dytë më të rëndësishëm kombëtar, në ndeshjen që nis në orën 20:45 në stadiumin “Olimpiko” të Romës.

Kemi bërë sakrifica të mëdha për të arritur deri këtu, shpresojmë të fitojmë Kupën, që do të ishte shpërblimi më i mirë për një sezon vërtet të madh”, u shpreh Gjimshiti, pas fitores në gjysmëfinale ndaj Fiorentinës.

Përballë mbrojtësit të kombëtares shqiptare do të jetë portieri i kombëtares, Strakosha.

“La Gazeta delo Sport” thekson se Strakosha është një garanci për Lacion, pasi sa herë ka luajtur në ndeshje finale, në Kupë apo Superkupë, ka dalë fitues.

Numri 1 kuqezi ishte në dyshim për shkak dëmtimi, por duket se është i sigurt për të luajtur.

Të dy trajnerët dhanë konferencat e shtypit, pranë trofeut të lakmuar.

“Ne mund ta fitojmë këtë kupë, jam shumë i lumtur për mbështetjen e madhe që do të kemi nga tifozët, dhe do të jem edhe më i lumtur nëse ia dalim. Kemi përballë një Lacio shumë të fortë dhe me përvojë, por besoj se kemi mentalitetin e duhur” , u shpreh Gasperini i Atalantës.

“Dua Kupën në stadiumin tonë, jemi gati por do të duhet maksimumi për të fituar ndaj Atalantës. Jemi me fat që në radhët tona ka shumë lojtarë që janë mësuar me ndeshje të tilla. Përsa i përket të ardhmes sime, do të flas në fund të sezonit”, ishin fjalët e trajnerit lacial, Stefano Inzagi.

Dy skuadrat kanë kaluar rivalë të fortë për të arritur deri këtu.

Atalanta mposhti Fiorentinën në gjysmëfinale, si dhe mundi 3-0 Juventusin në çerekfinale.

Lacio eleminoi dy skuadrat milaneze, dhe që të dyja në stadiumin “San Siro”, Interin dhe Milanin.

Atalanta mund të quhet pak më e qetë sepse është pranë kualifikimit për në Champions, nëpërmjet Serisë A, ndërsa Lacio është larg./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!