Meksika përballet me një valë të re dhune nga kartelet e drogës, zhvillim që sipas ekspertëve, mund të komprometojë organizimin e ndeshjeve të Kupës së Botës këtë verë.
Shpërthimi i dhunës nisi të dielën në shtetin perëndimor të Jalisco-s, pas vrasjes së liderit të kartelit Jalisco Neë Generation (CJNG), Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, gjatë një operacioni ushtarak.
CJNG, një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të frikshme në vend, reagoi me përplasje të armatosura me ushtrinë meksikane, bllokime rrugësh dhe djegie automjetesh. Autoritetet shpallën gjendje alarmi të kuq në Jalisco, ndërsa dhuna u përhap në të paktën 12 rajone të tjera. Video të publikuara në rrjetet sociale shfaqin persona të armatosur që patrullojnë rrugët dhe tym mbi qytete.
Brenda 24 orëve, të paktën 25 anëtarë të Gardës Kombëtare raportohet se kanë humbur jetën.
Qyteti i Guadalajara, me mbi një milion banorë, është planifikuar të presë katër ndeshje të turneut. Pesë të tjera janë planifikuar në Mexico City dhe katër në Monterrey.
Eksperti i së drejtës penale në Universitetin e Nottingham-it, Javier Eskauriatza, tha se goditjet ndaj karteleve shpesh sjellin kundërpërgjigje të fortë.
“Kur ushtron presion mbi kartelet, ka reagim. Rreziku qëndron te përshkallëzimi i situatës së sigurisë dhe vështirësia për ta kontrolluar atë”, tha ai.
Sipas tij, vakumi i pushtetit pas eliminimit të “El Mencho” mund të hapë një periudhë të re destabiliteti, teksa grupe të ndryshme brenda kartelit përpiqen të marrin kontrollin.
Megjithatë, Eskauriatza thekson se vetë kartelet kanë interes ekonomik që turneu të zhvillohet në paqe, pasi përfitojnë indirekt nga fluksi i turistëve dhe investimeve.
Dr. Karina Garcia-Reyes, pedagoge e kriminologjisë në UËE Bristol, deklaroi se rreziku për turistët këtë verë pritet të jetë “i moderuar”.
“Nëse nuk ndërmerren operacione të tjera ushtarake këtë javë, autoritetet në zonat më të prekura mund të adresojnë rreziqet. Në përgjithësi, turistët duhet të jenë të sigurt për sa kohë ndjekin udhëzimet e autoriteteve”, u shpreh ajo.
Qeveria amerikane ka këshilluar qytetarët e saj në Jalisco të qëndrojnë brenda, ndërsa Kanadaja ka anuluar fluturimet drejt aeroportit të Puerto Vallarta. Aplikacione të monitorimit të fluturimeve kanë treguar devijime dhe kthime të avionëve drejt pikave të nisjes.
Katër ndeshje futbolli në kampionatin vendas, dy në elitë dhe dy në divizionin e dytë, u shtynë të dielën për shkak të dhunës.
Monica Serrano Carreto, profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në El Colegio de Mexico, paralajmëroi për mundësinë e një periudhe të re paqëndrueshmërie.
“Ekziston rreziku që kjo të çojë në një fazë të re pasigurie dhe dhune të vazhdueshme”, tha ajo, duke theksuar se kartelet kanë akses në armatime të rënda dhe përplasje të tipit ushtarak mund të jenë të pashmangshme.
Në të njëjtën kohë, organizimi i Kupës së Botës ka qenë tashmë nën vëzhgim për shkak të debatit mbi sigurinë në SHBA. Muajin e kaluar, organizata Football Supporters Europe shprehu shqetësim për militarizimin e forcave të rendit në qytetet amerikane pritëse.
Sipas ish-ambasadorit britanik në Meksikë (2021–2024), Jon Benjamin, faktori politik amerikan ka ndikuar në dinamikën aktuale.
“Kjo nuk është një përgjigje unike, por është shumë serioze dhe në shkallë të lartë. Presidenti Trump i ka shpallur kartelet organizata terroriste dhe Meksika ka ekstraduar dhjetëra figura të tyre”, deklaroi ai.
Kështu, ngjarjet e fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi kapacitetin e Meksikës për të garantuar sigurinë e tifozëve ndërkombëtarë.


