“Euro 2020? Unë do të vija bast për Italinë. E kam seriozisht, djemtë e Mancinit kanë luajtur një futboll shumë të bukur në ndeshjet eliminatore“, deklaron Carlo Ancelotti në fillim të prononcimit për The Athletic, aty ku flet për tema të ndryshme.
Trajneri i Everton beson shumë te kombëtarja italiane dhe e sheh skuadrën e Mancinit si favoritë për triumfin në Europianin e verës. Ancelotti flet edhe rreth Superligës Europiane, projektit të ri të UEFA-s, duke shpjeguar se pse është kundër.
“Është e qartë që nëse kampionatet kombëtare do të humbasin interesin dhe nuk do të jenë më argëtuese, koncepti i Superligës Europiane do të fitonte pikë. Flas si tifoz, nëse do të vinte dita që Everton nuk do të kishte asnjë shans për të mposhtur Manchester City, unë nuk do e shihja si ndeshje.
Do preferoja të shihja një përballje mes Manchester City dhe Barcelonës, do të ishte më interesante. Unë jam i mendimit që Superliga nuk mund të krijohet. Kemi Champions League: mjafton, apo jo? Champions vë përballë mes tyre skuadrat më të mira.
Futbolli duhet t’i japë më shumë vlera kampionateve kombëtare në të ardhmen. Edhe kështu si jemi dhe kemi një kalendar shumë të ngjeshur. Lojtarët nuk pushojnë kurrë. Arbitrat në Angli janë më të mirë se në vendet e tjera. Në Itali dhe Spanjë janë nën presion të madh.
Këtu janë më të qetë, kanë një nivel të lartë gjykimi dhe bëjnë më pak gabime se të tjerët. Kritikat janë normale, ekzistojnë, por sigurisht që situata është shumë më e mirë se në Itali“, deklaron trajneri i njohur italian.
Ancelotti ka fituar shumë dhe ka eksperiencë të madhe në stol. Futbolli po ndryshon, temë të cilën e sqaron shumë mirë 61-vjeçari. “Pritshmëritë ndaj lojtarëve dhe trajnerëve janë shtuar shumë. Kohë më parë, skuadrat u përkisnin futbollistëve.
Njerëzit diskutonin si skuadra e Maradonës apo ajo e Platinisë. Tani është ndryshe, flasim për ekipet e Mourinhos, Guardiolës dhe Ancelottit. Presioni po akumulohet i gjithi te trajnerët. Sigurisht që edhe lojtarët kanë vështirësitë e tyre, sot është gjithçka më e komplikuar se në kohën kur luaja unë.
TV dhe rrjetet sociale bëjnë të veten, presioni vjen vetëm në rritje dhe njerëzit nuk kënaqen kurrë. Tifozët presin edhe më shumë nga lojtarët“, deklaroi Carlo Ancelotti. /abcnews.al