Edith Harxhi në kuadër të fushatës për postin e kryetares së PD-së sot ishte në Korçë ku zhvilloi një takim me demokratët, ndërsa në krah kishte kryetarin e këshillit kombëtar Bujar Nishani. Harxhi shpalosi planin se çfarë do të bëjë në krye të PD-së nëse i japin besimin.
“Ditën e parë që do të zgjidhem dhe vendimi i parë që duhet të marrë Këshilli Kombëtar do të jetë kthimi i partisë te anëtarësia.
Gjithçka e strukturuar. Do të ndodhë ndryshimi i statutit me Kuvend Kombëtar me debat, do të ketë një këshill që do të ketë 120 vetë jo me 300 vetë si sot dhe një kryesi partie që 4-5 vetë vijnë nga kryesitë e degëve.
Sot Korça nuk është e përfaqësuar. Duhet të jetë patjetër përfaqësuesi i Korçës në Kryesinë e PD-së. Dhe e treta, duhet të bashkohemi dhe të hapemi drejt rinisë” tha ajo.
Në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor./ db/ Abcnews.al