Verona pret nesër Sampdorian në Bentegodi në një ndeshje jetike për miqtë nga Xhenova. Ivan Juric ka drejtuar më parë Genoan dhe dueli i nesërm merr trajtën e një derbi për trajnerin nga Spliti.
Trajneri i Veronës është pyetur në konferencën për shtyp edhe në lidhje me aktivizimin e Marash Kumbullës. Mbrojtësi është një nga zbulimet pozitive të këtij fillimi sezoni dhe ka formuar një dyshe të fortë në prapavijë, së bashku me Amir Rrahmanin.
Kumbulla u ndëshkua me të kuqe në ndeshjen kundër Juventusit dhe mungoi në barazimin me Udinesen, ndërsa barazimin në transfertë përballë Cagliarit e ndoqi nga pankina.
“Kumbulla? Vendos në bazë të stërvitjeve dhe shoh se kush është më në formë. Mosha nuk ndikon në zgjedhjet e mia. Djemtë janë të gjithë seriozë dhe mund të bëjnë mirë”, thekson Juric.
Verona numëron gjashtë pikë pas po kaq javësh dhe ka mbrojtjen e tretë më të mirë në Serie A, bashkë me Juventusin dhe Udinesen (nga 5 gola të pësuar). Vetëm Interi me 2 gola të pësuar dhe Lazio me 4 kanë një defensivë më të mirë deri tani. /abcnews.al