Kumbulla, Rey Manaj dhe talenti Lakti: Bogdani “skanon” talentet kuqezi

schedule21:57 - 26 Prill, 2020

schedule 21:57 - 26 Prill, 2020

Erjon Bogdani është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares shqiptare. 43-vjeçari ka shënuar 18 gola me kuqezinjtë dhe askush nuk po ia del të bëjë më mirë. Serinë A e njeh shumë mirë, në vitin 2000 u bë pjesë e Reggina, teksa një vit më pas u transferua edhe Igli Tare te Brescia. Bogu provoi edhe edhe aventurat me Hellas Verona, Chievon, Livornon, Sienën dhe Cesenën.

Pas tërheqjes nga futbolli, ai punoi në stafin teknik të Gianni De Biasit te kombëtarja shqiptare, teksa drejtoi si trajner i parë skuadrën U19 të Shqipërisë gjatë viteve 2016-2018. Ai ka dhënë një rrëfim për FC Inter 1908, aty ku analizon disa nga talentet e futbollit shqiptar si: Marash Kumbulla dhe Rey Manaj.

KUMBULLA – “Sinqerisht nuk e prisja që të bënte kaq mirë. Merita është e tij, u vu menjëherë në dispozicion dhe ka dëshmuar se është një lojtar i rëndësishëm në Serinë A. Është normale që pas ndeshjeve që zhvilloi të binte në sy. Ai është një djalë shumë i ri, i vitit 2000, mund të rritet shumë dhe të bëjë mirë në të ardhmen”.

 

Erjon Bogdani

KARAKTERISTIKAT – “Marashi është një djalë i gjatë, për mendimin tim është një markues i shkëlqyer dhe godet mirë me kokë. Në disa ndeshje miqësore me Kombëtaren ka shënuar gola. Ajo që më ka habitur më shumë është se ai po luan edhe në Serinë A si veteran. Duke qenë shumë i gjatë, mund të mendoni se ai nuk ka shpejtësinë që i nevojitet kundër kundërshtarëve të shpejtë, por ai ka aftësinë ta kuptojë mirë aksionin dhe të arrijë gjithmonë para të tjerëve. Të mos harrojmë se po flasim për një djalë të vitit 2000, i cili ka akoma shumë për të treguar e për t’u përmirësuar”.

E ARDHMJA – “Mund të them që këtë vit ai luajti vërtet mirë me Veronën. Nëse shumë skuadra e dëshirojnë, do të ketë një arsye, plus datëlindja së tij e bën edhe më tërheqës. Në futboll duhet ta tregosh veten gjithmonë. Për mendimin tim, për aq sa ka treguar deri tani, është e drejtë që ndodhet në orbitën e skuadrave të shkëlqyera”.

 

Rey Manaj gjatë një seance stërvitore me Barcelonën

MANAJ – “Po flasim për një djalë që ka shumë cilësi, ka talent dhe mund të bëjë shumë mirë në Kombëtare. Sjellje të caktuara nuk e kanë ndihmuar, por ai është akoma një djalë shumë i ri. Po përmirësohet nga ky këndvështrim. I ka munguar pak vazhdimësia, por me siguri nuk i mungon talenti, cilësia dhe forca. Ai është datëlindjes ‘97, me siguri mund të bëjë shumë mirë në të ardhmen”.

TALENTI I RADHËS – “Kur flasim për djem të rinj, duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm, ekziston rreziku që t’u rritet mendja. Ai që mund të arrijë në Serinë A është Erald Lakti. Ka luajtur me të rinjtë e Fiorentinës, ndërsa këtë vit shkoi në huazim te Gubbio. Për mendimin tim, ai mund të bëjë shumë mirë, mund të luajë në të gjitha rolet e mesfushës. Ka gjithçka për të luajtur në Serinë A. Pastaj ka djem të tjerë që premtojnë, por ndryshimin gjithmonë e bën koka. Kalimi nga ekipi i të rinjve te skuadra e parë është gjithmonë faza më e vështirë, aty mund të shihni nëse dikush mund të bëhet një lojtar i vërtetë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!