Nuk ishte aspak e lehtë, por ai e kaloi provimin. Marash Kumbulla padyshim që ishte ndër lojtarët më të dalluar në fushë në barazimin që Espanjoli arriti në La Liga ndaj Atletikut të Bilbaos.
Përballë një skuadre mike cilësore dhe agresive, mbrojtësi i kombëtares e mbajti fort vendin e tij në fushë. Vetëm dy lojtarë vendas, Romero dhe El Hilali u vlerësuan më lart se ai, madje marokeni u shpall si futbollisti më i mirë i ndeshjes.
Kjo ishte ndeshja e nëntë radhazi si titullar dhe për 90 minuta e yllit kuqezi për Espanjolin në La Liga, në të cilën ka luajti 22 herë në 24 javë, dhe ka qenë 18 herë në fushë që nga minuta e parë.
Duke kaluar në Itali, kjo fundjavë nuk ishte pozitive për Kristian Shpendin. Njëri nga shënuesit më të mirë të Serisë B nuk arriti të realizonte në një duel të vështirës mes Çezenës e Pizës.
Skuadra mike, e drejtuar si trajner nga Pipo Inzagi, mori barazimin 1-1 dhe mund të kishte fituar ndërsa sulmuesi i Shpresave të Shqipërisë u përpoq shumë, por nuk u tregua I saktë.
Shpendi u zëvendësua në pjesën e dytë. Njëzetenjëvjeçari ka 10 gola e një asist, por rrjetën e fundit e ka shënuar në 1 dhjetor. Po në Serinë B, protagonist ishte Silvio Merkaj.
Sulmuesi vlonjat realizoi sërish për Zyd Tirolin, në fitoren 2-1 ndaj Sampdorias. Ky ishte goli I katërt I tij këtë kampionat, duke pasur edhe 3 asistë, dhe titullar për Zyd Tirolin ishte edhe mbrojtësi I kombëtares, Frederik Veseli.
Në Bundesligën gjermane shërbeu asist Antoni Caci, kandidat për në kombëtare, i pëlqyer nga Silvinjo. Ai dha topin për golin e parë të Maincit në fushën e Haidenhajmit shënuar në minutën e 28-të.
Pas pushimit, në 49’ shënoi Nelson Vaiper, për të cilin gjithashtu thuhet se ka propozim nga Silvinjo, dhe që ka një prind shqiptar. Mainci fitoi 2-0.