Detyra e tij kryesore është të mbrojë, por Marash Kumbulla vazhdon të konfirmohet edhe si goleador. Realizimet e kanë shoqëruar karrierën e tij, madje i lejuan të bëjë edhe kapërcimin e madh në Serinë A.
Në fillim me Verona dhe më pas te Roma, ai shënoi katër gola, mes kampionatit italian dhe Europa League, përpara atij dëmtimi që e mbajti jashtë për një kohë të gjatë.
Por çdo e keqe e ka një të mirë dhe huazimi te Espanjol rezultoi një zgjedhje e shkëlqyer. Mbrojtësi kuqezi është kthyer në një titullar të padiskutueshëm në skuadrën nga Katalonja, duke mos e humbur vesin e tij për golin.
Ai në fundjavë, që i dha fitoren Espanjol kundër Getafe ishte realizimi I tretë në 29 ndeshje të këtij sezoni në La Liga. Shifra të rëndësishme për një qendërbrojtës, që e ngjisin në krye të klasifikimit në shënuesëve në rolin e tij në fushë.
Po ashtu, paraqitjet në këtë sezon të kampionatit spanjoll mund të ndikojnë në të ardhmen e Marash Kumbullës. Huazimi i tij do të përfundojë në fund të këtij sezoni, ndërsa për t;u parë mbetet nëse Espanjol do të paguajë përfundimisht kartonin e tij, apo Roma do të vendosë t’I japë edhe një tjetër shans mbrojtësit kuqezi. /abcnews.al

