Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka bërë të ditur një tjetër nismë madhore në fushën e arsimit, krijimin e Liceut Francez të Korçës, një projekt i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, i iniciuar nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Kryeministri Edi Rama. Ky institucion arsimor do të jetë një qendër ekselence në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në rajon, duke ofruar diploma të dyfishta për nxënësit.
Në konferencën me gazetarët, Kumbaro tha se gjatë vizitës zyrtare në Paris zhvilloi takime me përfaqësues të politikës, akademisë dhe sektorit të arsimit, me fokus bashkëpunimin për hapjen e Liceut Francez në Korçë.
“Java që lamë pas në fakt, përmbylli disa takime të rëndësishme edhe një tjetër projekt të rëndësishëm që shumë shpejt do ta kemi kantier. Bëhet fjalë për Liceun Francez të Korçës, për të cilin patëm disa takime me palën franceze gjatë ditëve të ministerialit të UNESCOs, duke përfshirë. Ministren për Frankofoninë Éléonore Caroit, dhe Këshilltarin e parë të Presidentit Emmanuel Macron për Europën, Bernard Buchwalter”, tha Kumbaro.
Në këtë lice, mësimi do të zhvillohet në gjuhën frënge dhe shqipe për nxënësit shqiptarë, ndërkohë që institucioni do të jetë i hapur edhe për nxënës nga vende të tjera. Stafi pedagogjik dhe drejtues do të jenë francezë, ndërsa në program do të përfshihet edhe mësimi i gjuhës angleze dhe italiane.
“Liceu do të zhvillojë mësim në frëngjisht dhe në shqip, për nxënësit shqiptarë, sepse mbetet i hapur edhe për nxënës nga vende të tjera. Mësuesit do të jenë francezë, siç do të jetë francez edhe drejtuesi i shkollës. Ndërsa do të ofrohet edhe mësimi i gjuhës angleze dhe italiane po ashtu. Kemi gati kurrikulat dhe po ashtu ligji ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik. Është një projekt elitar. Është një projekt shumë i rendësishëm, sepse i shërben pikërisht ndërkombëtarizimit të Arsimit në Shqipëri”, theksoi Kumbaro.
Kumbaro bëri me dije se projekti i Kampusit të Liceut Francez është tashmë gati, është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe parashikon ndërtimin e kampusit brenda territorit të godinës historike të Liceut Francez.
“Jo më larg se dje në Këshillin Kombëtar të Territorit është miratuar projekti i kampusit të Liceut Francez i cili do të ndërtohet brenda territorit ku ndodhet godina historike e Liceut Francez, e cila do të vihet edhe ajo në dispozicion të shkollës ku do t’i shtohen edhe dy ndërtesa të reja, ndërtesa që ka të bëjë me klasat, laboratorët, bibliotekën dhe ndërtesa që do të këtë mensën dhe konviktin e shkollës që do ndërtohet, projekti tashmë është gati”, tha Kumbaro./abcnews.al


