Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe Ministri i Mbrojtjes, Piro Vëngu, vizituan kampusin e ri të Akademisë së Forcave të Armatosura, një investim modern prej 7 600 m² që ofron kushte bashkëkohore për formimin e profesionisteve të ardhshëm të FA.
Kampusi i ri përfshin klasa të teknologjisë së lartë, auditorë, laboratorë, poligon stërvitor, pishinë, ambiente sportive dhe hapësira funksionale të standardeve të NATO-s, duke krijuar një mjedis të kompletuar akademik dhe profesional.
Gjatë vizitës, ministrja Kumbaro theksoi se ky projekt, edhe pse nuk është pjesë direkte e buxhetit të Ministrisë së Arsimit, mbetet një investim publik në arsim, siç janë buxhetet e arsimit profesional, të Shkollës së Magjistraturës, apo të ardhurat e vetë universiteteve.
“Është një investim fantastik për një ndër degët tona të studimit që po merr më shumë e gjithnjë rëndësi, ndërsa uniformën ushtarake e kemi në kryefjalë të tavolinave ndërkombëtare, edhe për ccështje të sigurisë. Është një investim gjithashtu që i shtohet paketës së madhe të investimeve në arsim, aq më tepër që shikojmë që ka një kërkesë në rritje dhe duhet të zgjerojmë ofertën.
Modeli i masterit të kombinuar në marinë, aviacion dhe inxhinieri në Universitetin e Vlorës, është një iniciativë që krijon rrjetëzim të universiteteve dhe për të parë mundësitë e ndërkombëtarizimit për të siguruar jetëgjatësi dhe cilësi të arsimit të lartë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Nga ana e tij, ministri Vengu nënvizoi rolin e kampusit të ri si qendër ekselence në formimin ushtarak dhe akademik, duke theksuar se standardet e reja infrastrukturore dhe pedagogjike do të përgatisin kuadro të afta për misione kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Jemi në kushtet kur 80 përqind e punës ka mbaruar dhe në një situatë ku kemi një numër shumë të madh regjistrimesh. Këtë vit kemi pasur një numër rekord: 1630 aplikime për vetëm 80 vende. Në muajin shkurt do të jetë gati për të nisur programet bachelor dhe master, sepse përvecc një akademie ushtarke të mirëfilltë përgatit edhe profesionistë të inxhinierisë apo ekonomisë që i shërbejnë kryqëzimit të jetës civile me aktivitetin e forcave të armatosura. Do të kemi një ofertë akademike e cila përveç kurseve akademike, do të ketë edhe kurse të specialiteteve, sicc është masteri në sigurinë kibernetike që po bëhet gjithnjë e më atraktiv, por për të mbështetur edhe sektorë të tjerë shtetërorë që kanë nevojë për kapacitete”, tha ministri Vengu.
Më tej në fjalën e tij, ministri Vengu shpjegoi se studentët e kësaj akademie trajtohen me pagesë gjatë periudhës së studimeve dhe kanë mundësinë e specializimit në akademi prestigjoze të Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
Ky investim konsolidon rolin e FA në edukimin e sigurisë kombëtare dhe vendos një standard të ri për arsimimin ushtarak në Shqipëri, si pjesë e vizionit të integrimit euroatlantik dhe modernizimit të institucioneve të mbrojtjes.

