“Kumbari” i Shkodrës u ekzekutua me kallashnikov pa mëshirë, rruga e mbushur me gëzhoja

schedule22:15 - 4 Prill, 2021

schedule 22:15 - 4 Prill, 2021

Rruga Shkodër-Koplik në fshatin Dobraç i Ri është mbushur me gëzhojat e kallashnikovit që i morën jetën Bardhok Pllanajt mbrëmjen e sotme rreth orës 21:10.

ABC sjell pamjet nga vendi i ngjarjes, ku gëzhojat janë shpërndarë në rrugë si pasojë e breshërisë së armës me të cilin 46-vjeçari u qëllua pa mëshirë.

Policia lokale e ndihmuar edhe nga FNSH kanë rrethuar kryeqendrën e veriut, por deri tani kanë gjetur vetëm një makinë të djegur pranë vendit të ngjarjes, që dyshohet e autorëve, të cilët janë arratisur në errësirë.

Edhe pse është ende herët, pista kryesore në tryezën e grupit hetimor është hakmarrja nisur nga dënimet dhe problemet në të shkuarën.

Por kush është Bardhok Pllanaj?

I cilësuar si “Kumbari” i Shkodrës. 46-vjeçari është në emër shumë i njohur për drejtësinë shqiptare, por edhe atë belge. Një vit më parë Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin për justifikimin e pasurisë pasi ka qenë i arrestuar dhe dënuar për disa vepra penale, mes të tjerash në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore.

Pllanaj ka qenë në gjykim në dhjetor 2018 për “pastrim parash”, ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘ndërtim pa leje’ për një pallat të vlerësuar 2 milionë euro. Ai ka rënë në pranga në vitin 2018, pasi dyshohej se kishte ndërtuar pallatin 10-katësh në Shkodër me para nga burime kriminale dhe pa leje ndërtimi, i cili u sekuestrua.

Por jo vetëm kaq. Bardhok Pllanaj ishte kryefjalë e politikës shqiptare në vitin 2014, pasi u akuzua për trafik droge, por i shpëtoi arrestimit. Asokohe u raportua se “Kumbari i Shkodrës” u fsheh në makinën e ish-deputetit Mark Frroku për t’iu shmangur arrestimit. Policia e kërkonte Pllanajn për trafik droge nga Velipoja me skaf drejt Italisë./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!