Gjashtë persona, mes tyre një polic janë arrestuar nga policia e Tiranës në një operacion për goditjen e kultivimit të kanabisit në zonën e Zall Bastarit në Tiranë.
Pas një hetimi disa mujor, policia thotë se pas kontrollit të territorit dhe informacioneve operative arriti që të vendoste në pranga 6 persona, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim dhe një është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Të arrestuarit janë;
-E. D., punonjës policie (SPZ), i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
-Q.Xh., I. B., dhe B. M., të dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Si dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B., dhe A. B., të dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
Gjithashtu, në vijim të operacionit u shpallën në kërkim 3 persona; S. H., D. H dhe G. H., të dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Si edhe u procedua penalisht për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, H. M., pasi sipas policisë ka ndihmuar për ikjen e njërit prej autorëve, gjatë kohës që forcat e policisë po punonin për kapjen e tij.
Por si funksiononte grupi?
Sipas policisë këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Mner i Sipërm, Njësia Administrative Zall Bastar, “dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike të llojit cannabis sativa, të cilat janë asgjësuar në periudha të ndryshme nga Seksioni i Narkotikëve dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Punonjësi i policisë ka shpërdoruar detyrën duke dekonspiruar operacionet policore” thotë policia. Gjatë operacionit janë sekuestruar dy armë gjahu (çifte) dhe sende të tjera të kundërligjshme./db/Abcnews.al