Sekretari për Marrëdhënien me Publikun në PD, Edvin Kulluri theksoi në “Real Story” se PD është në test për zgjedhjet e 2025-ës. Teksa gazetari Sokol Balla theksoi se ‘rikthimi i Bashës reflektoi doza berishizmi’, Kulluri shtoi se fakti që PD po bën të kundërtën e asaj që ka bërë, tregon se po vepron mirë.
“Dy gabime të rënda të PD janë në raport me parlamentin dhe përfaqësimin. Kur themi se deri me 31 mars kemi identifikuar kandidatët për deputetë është të zhbësh në mënyrë literale listat që janë bërë në 12 të natës në vitin 2017. Është e kundërta e asaj që ka ndodhur po me Lulzim Bashën. Në momentin që ti gati një vit para zgjedhjeve, thua se këta janë kandidatët e mi për deputetët kjo duhet vlerësuar.
Kur them që jam kthyer në PD për një projekt politik, nuk jam kthyer për një karrige. Nëse zhbën dhe bën të kundërtën e asaj që ke bërë keq, domethënë se po e bën mirë. Problemi është se ne s’po e zbërthejmë dot mesazhin në publik. Nuk kemi nisur takimet. Unë ditën e parë kam thënë se jemi në një provim se si do të shkojmë drejt 2025-ës. Jemi vetëm në dy muaj dhe në kushte të vështira.
Kur ne themi lista të hapura dhe Oerd Bylykbashi bashkë me Berishën thotë se duam të mbyllura, nuk je i lirë të bësh politikë siç duhet të bësh sepse ke një rezistencë nga ana tjetër që i krijon një disavantazh të djathtës.“, u shpreh mes të tjerash Kulluri./abcnews.al