Kulla e Bolonjës po anon gjithnjë e më shumë, teknologjia pritet ta shpëtojë si Kullën e Pizas

schedule14:00 - 29 Mars, 2024

schedule 14:00 - 29 Mars, 2024

Një tjetër kullë e anuar në Itali, Garisenda në Bolonja, është anuar aq shumë sa që po rritet shqetësimi se mund të shembet dhe u hartua një plan për ta shpëtuar atë me ndihmën e të njëjtave pajisje që mbështetën Kullën e famshme të Pizës.

Kulla Garisenda, 48 metra e lartë, u ndërtua në shekullin e 12-të, gjatë lulëzimit historik të këtij qyteti verior italian, por dy shekuj më vonë ajo tashmë kishte filluar të anonte. Sot është anuar në një kënd prej katër gradësh, pak më shumë se Kulla e Anuar e Pizës, e cila është e anuar në një kënd prej 3.9 gradësh, shkruan CNN.

Në fund të vitit të kaluar, rrugët përreth Garisenda u mbyllën përkohësisht, ndërsa shkencëtarët monitoruan ndërtimin e kullës, duke kërkuar prova të zhvendosjes dhe plasaritjes së saj, duke arritur në përfundimin se ishte në rrezik të lartë shembjeje.

Kryetari i bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore, njoftoi të enjten se shtyllat dhe kabllot, të përdorur më parë për Kullën e Pizës, do të përdoren së bashku me skelat prej çeliku, për të parandaluar shembjen e kullës.

“Kjo do të mundësojë sigurimin e kullës”, tha Lepore në konferencën për shtyp.

Ai bëri të ditur se në vitin 2025 dhe 2026 do të ndërmerren punë të mëtejshme për forcimin dhe restaurimin e kullës, e cila ende nuk është planifikuar.

Kryebashkiaku tha se do të duhen rreth gjashtë muaj për të përshtatur pajisjet e përdorura për Kullën e Pizës për Garisenda dhe i gjithë operacioni i mbrojtjes llogaritet në 19 milionë euro.

Pasi dy shtyllat e çelikut të përdorura në Pizë të ngrihen dhe të përshtaten me Garisenda, do të fillojë puna për konsolidimin e mureve të saj, duke përfshirë injektimin e një përzierjeje llaçi me bazë gëlqereje të pajtueshme me atë të përdorur gjatë ndërtimit, sipas një deklarate nga administrata e qytetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!