Kukësi i përgjigjet Partizanit me një fitore minimale me Luftëtarin

schedule19:33 - 29 Shtator, 2018

schedule 19:33 - 29 Shtator, 2018

Kukësi iu përgjigj Partizanit duke arritur një fitore minimale ndaj Luftëtarit në “Elbasan Arena”. Veriorët janë në vendet e larta të renditjes së Superligës, por trajneri Cungu nuk është aspak i kënaqur.

Mund të fitohet edhe kështu, madje të jesh baraz me kreun.

Kukësi, edhe më shumë se Partizani, është një skuadër që vazhdon të mos bindë, por që nuk po i ndahet fitoreve minimale.

I mjaftoi sërish një 1-0 i vogël, falë një 11-metërshi të saktë fituar nga mbrojtësi Cuculi dhe kthyer në gol nga i zakonshmi Rezhinaldo.

Po 1-0 ishin edhe sukseset në Durrës ndaj Teutës dhe kundër Kamzës në “Loro Boriçi”.

Këtë herë u luajt në Elbasan, por ndryshimi i fushës, nuk solli ndryshim të lojës së veriorëve, paraqitje që e shqetësoi shumë trajnerin Armando Cungu.

Shpesh herë Luftëtari mik u tregua më i mirë sesa kuksianët, duke iu afruar edhe golit, por edhe duke pretenduar nga gjyqtari.

Për të fituar një ndeshje duhet edhe fat, sidomos në vendimet kyçe që jep arbitri dhe këtë herë, ato ishin kundër gjirokastritëve.

Skuadra e trajnerit Mezani mund ta kishte pasur një penallti, por ajo nuk u dha.

Në përfundim të një sfide jo të bukur për t’u parë, sidomos nga tribunat bosh të stadiumit të kombëtares, “Elbasan Arena”, dy ekipet u diferencuan edhe më shumë nga njëri-tjetri në renditje.

Kukësi u ngjit në kuotën e 13 pikëve, po aq sa Partizani, pra në vendet më të larta të tabelës, ndërsa Luftëtari mbeti në vend të fundit me vetëm 3 pikë.

Në pozicion shumë të mirë edhe Laçi që fitoi në sekondat e fundit në fushën e Kamzës, dhe që ka 10 pikë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!