Në një intervistë për mediat serbe, eurodeputeti eduard Kukan deklaroi se kushti që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian është një qëndrim i Gjermanisë dhe jo i BE-së. Por gjithësesi sipas tij Serbia po ecën shumë ngadalë drejt anëtarësimit.
Qëndrimi i Gjermanisë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian nëse nuk njeh më parë pavarësinë e Kosovës, është vetëm një qëndrim gjerman. Kështu ka deklaruar për mediat serbe, eurodeputeti Eduard Kukan i pyetur për deklaratën e deputetit gjerman në radhët e kristiandemokratëve, Peter Bajer.
Kukan theksoi se Bashkimi Europian nuk ka një qëndrim të përbashkët për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, në një intervistë ekskluzive për Tanjug, duke shtuar BE është ende duke punuar për harmonizimin dhe përcaktimin e një qëndrimi të përbashkët në këtë pikë.
Qëndrimi i Parlamenti Europian për këtë çështje, është se pritet një zgjidhje që do të dalë nga dialogu dhe përmes dialogut, por që do të jetë kryesisht afatgjatë, vazhdoi Kukan. Sipas tij dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka pranuar se marrëveshja e detyrueshme ligjore me Kosovën është një parakusht për rrugën e mëtejshme të Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
I pyetur nëse ideja e korrigjimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës është ende në tryezë, Kukan tha se Brukseli është duke monitoruar nga afër rrjedhën e dialogut, por ende nuk janë të qarta detajet të caktuara të një marrëveshje të mundshme, që do të nënkuptonte ndarjen apo korrigjimin e kufirit.
Ai theksoi se do të ishte krenar nëse Beogradi dhe Prishtina do të merrnin vendimet e tyre pse do të arrinin një zgjidhje apo marrëveshje. Por bëri të qartë njëkohësisht se nuk do të arrihet asnjë marrëveshje nëse kjo marrëveshje nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar./abcnews.al