Tottenham fitoi 4-1 përballë Crystal Palace mbrëmjen e kaluar, duke siguruar suksesin e tretë radhazi në kampionat. Zona Champions League është vetëm dy pikë larg, teksa Jose Mourinho i gëzohet formës së mirë të dy sulmuesve Kane dhe Bale, të cilët shënuan nga një dygolësh.
Uellsiani kaloi vendasit në avantazh, teksa Palace barazoi përkohësisht rezultatin me anë të Benteke. Belgu gjeti rrjetën në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, por Jose Mourinho ia doli të motivojë djemtë e tij në pushimin mes pjesëve.
“Kur pëson gol në sekondat e fundit të pjesës së parë, skuadra futet në dhomat e zhveshjes e trishtuar dhe e zemëruar. Pastaj ekziston prirja për t’u ankuar te arbitri kryesor në momentin që fillon pjesa e dytë. Çfarë i thashë djemve në pushim?
U thashë që isha i kënaqur që pësuam gol… Më panë të gjithë të habitur dhe menduan se isha çmendur. Doja t’u provoja atyre se nëse humbet kontrolli dhe nisim të pësojmë gola, atëherë është e vështirë të vazhdosh përpara.
Goli që pësuam ndikoi që të riktheheshim në fushë edhe të jepnim më shumë. Mendoj se ia dola t’i transmetoj lojtarëve ndjesinë e duhur për të mos u dorëzuar, për të vazhduar lojën dhe për të shënuar gola të tjerë“, deklaroi “Special One”. /abcnews.al