Wayne Rooney dhe Cristiano Ronaldo formuan një dyshe të mrekullueshme në sulmin e Manchester United për vite me radhë. Ylli portugez luajti gjashtë sezone me “Djajtë e Kuq” (2003-2009) dhe krijoi një miqësi të madhe me bomberin anglez.
Ky i fundit po luan me Derby County në Championship dhe mban rolin e zëvendës trajnerit të skuadrës në të njëjtën kohë. Rooney ka treguar një detaj interesant në lidhje me CR7 për The Times. Ronaldo ka qenë gjithmonë një maniak i stërvitjes së rregullt dhe të fortë, por edhe i ushqimit siç duhet.
“Shkoja shpesh me Cristianon në stërvitje dhe në ndeshje. Më kujtohet një natë përpara një ndeshje. Cristiano më kërkoi të ndaloja përpara një McDonald’s, sepse donte një hamburger të madh. Ai po mundohej të shtonte peshë, ishte shumë i dobët atë periudhë”, zbulon Rooney. /abcnews.al

