Kujtimet e ish-ministrit: Klani i baxhanakëve në udhëheqjen e lartë të PPSH-së që jeton mes luksit në ‘Bllok’

schedule08:16 - 12 Nëntor, 2021

schedule 08:16 - 12 Nëntor, 2021

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës, i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës. Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, zv/ ministër i Mbrojtjes Popullore për Drejtorinë e Kufirit, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu? Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e ministrit pa portofol dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetëror në afërsi të liqenit të Pogradecit nga fshati Lin dhe të dilte në Jugosllavi, ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd dhe çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat i përmblodhi për t’i botuar në një libër me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, dhe pas vdekjes së tij ai u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate (nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit), libër që pati një jehonë të madhe dhe u botua më pas nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës në gjuhën shqipe në vitin 1985.

Terrori në Kongresin e I-rë të PKSH-së!

Delegat në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë u zgjodha në Bashkimin Sovjetik, ku isha për të ndjekur studimet në Akademinë “Voroshillov”. Kur erdha në Tiranë, familja ime m’u ankua për gjendjen ekonomike, tejet të vështirë në vend. Më thanë se kanë pasur mjaft të ardhura, merrnin tërë rrogën time dhe jetonin bashkë me vëllanë tim më të vogël, i cili në atë kohë ishte drejtor i Fermave Bujqësore Shtetërore në Ministrinë e Bujqësisë (në vitin 1956, vëllanë tim e helmuan me urdhër të Enver Hoxhës), por megjithëkëtë, bënin një jetë të vështirë.

Sepse, jo vetëm që çdo gjë ishte e shtrenjtë, por shpesh ishte e pamundshme të gjendeshin, ushqimet më elementare. Më thanë se është shumë e pakuptueshme, se si mund të jetojë kështu populli. Ishin ndërprerë punimet jo vetëm në objektet më të mëdha, por edhe në të gjitha objektet e tjera. Përshtypjet e tyre ishin plotësisht të sakta. Në kushte të tilla u mbajt, prej datës 8 deri më 21 nëntor 1948, Kongresi i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Kongresi u mbajt në sallën e Kuvendit (më vonë Operën e Shtetit). Godina ishte e dekoruar me flamuj të kuq dhe me portrete të Marksit, të Engelsit, të Leninit, të Stalinit dhe të Enver Hoxhës.

Në kryesinë e punimeve të Kongresit, ishte një numër i vogël anëtarësh të deriatëhershëm të Komitetit Qendror. Të gjithë të tjerë ishin pak të njohur ose krejt të panjohur në radhët e anëtarëve të Partisë. Në Kongres u dha formalisht pëlqimi për likuidimin e bërthamës proletare të udhëheqjes së Partisë. Edhe zyrtarisht u përjashtuan nga Partia: Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Ramadan Çitaku, Nesti Kerenxhi, Xhorxhi Blushi, Vaskë Koleci, Naxhije Dume. U ndërmorën masa drastike ndaj Kristo Themelkos, Bajram Sinoimerit, Pëllumb Dishnicës, Petro Papit, Rrahman Parllakut, Iljaz Rekës, Teki Kolanecit, Gjin Markut, Dali Ndreut, Koço Titkos, Haxhi Kroit e të tjerëve.

Të gjithë këta, deri atëhere anëtarë ose kandidatë për anëtarë të Komitetit Qendror, jo vetëm që nuk u zgjodhën përsëri, por morën dënime partiake dhe u shkarkuan prej funksioneve. Me fjalë të tjera, prej 32 anëtarëve dhe kandidatëve të Komitetit Qendror të mëparshëm, i cili e kishte udhëhequr Partinë dhe popullin e Shqipërisë, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit popullor, si dhe ndërtimin e vendit në periudhën e pasluftës, u shkarkuan dhe likuiduan, 23 prej tyre. Ky likuidim, në të vërtetë, ishte përgatitur një kohë shumë të gjatë më parë, pa kurrfarë konsultimi, me anëtarët e Partisë dhe me udhëheqësit e organizatave partiake.

Kundërshtohet emëri “Parti e Punës”!

Kongresi i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, vendosi të ndërrohet emri i Partisë. Partia Komuniste e Shqipërisë e ndërroi emrin dhe u bë Partia e Punës e Shqipërisë. Propozimin për këtë ndryshim e paraqiti Tuk Jakova, i cili prej Plenumit XI-të, e kryente detyrën e sekretarit organizativ të Komitetit Qendror, në vend të Koçi Xoxes. Kur Tuk Jakova e paraqiti këtë propozim, në sallë u bë protestë masive. Delegati Ramadan Xhangolli, u ngrit dhe u deklarua kundër këtij propozimi. Ai tha se: ky emër i ri të kujton organizatën “Puna” e cila, si pjellë e Grupit Komunist të Korçës, kishte karakter të organizatës masive të punëtorëve.

“Vallë, Partia jonë Komuniste”, theksoi Ramadan Xhangolli, “e cila i priu popullit të Shqipërisë, në betejat më të rënda dhe e cila e realizoi revolucionin popullor, duke hapur rrugë të reja në drejtim të socializmit, a duhet të heqë dorë tash, prej emrit të vet të vjetër tradicional të lavdishëm”?! Këto fjalë u përshëndetën me duartrokitje frenetike. Pastaj foli edhe dy herë Tuk Jakova, duke tentuar ta bindte auditorin për nevojën e ndërrimit të emrit të Partisë. Kur këto ndërhyrje të tij nuk sollën rezultat, ai tha më në fund: Në lidhje me ndërrimin e emrit të Partisë, ne kemi diskutuar shumë në Byronë Politike. Mirëpo, nuk i kemi mundur të marrim kurrfarë vendimi.

Kur isha në Moskë, e pyeta shokun Stalin, për mendimin e tij në lidhje me këtë problem. Ai jo vetëm që u pajtua me këtë ndërrim, por menjëherë edhe ma uroi emrin e ri të Partisë sonë. Pas këtyre fjalëve të Tuk Jakovës, në sallë mbretëroi qetësia. Kështu lindi emri i ri: Partia e Punës e Shqipërisë. Gjatë Kongresit, në disa raste, Gjin Marku, i cili ishte në atë kohë krye shef i Drejtorisë Politike të Ushtrisë dhe për të cilin të gjithë, ishin të bindur se do të zgjidhej jo vetëm në Komitetin Qendror të ri, por edhe në Byronë Politike, m’u lut që të diskutoj në Kongres. Unë refuzova kategorikisht. Isha i bindur se kjo ishte iniciativë jo vetëm e tij, por edhe e Byrosë Politike. E dija se qëllimi i tyre ishte që edhe unë të deklarohem kundër Koçi Xoxes, kështu që të zgjidhesha në Komitetin Qendror.

Por, nuk pranova ta bëj këtë, me motivacion se nuk kam ç’të them. Vetë Gjin Marku, i cili më kishte këshilluar kështu, në diskutimin e vet të mëvonshëm, e sulmoi jo vetëm Koçi Xoxen, por edhe udhëheqësit e tjerë, të cilët ishin angazhuar më pare, për marrëdhënie të tjera me Jugosllavinë. Meqenëse Enver Hoxha dhe të tjerët e vlerësuan këtë, si sulm edhe kundër tyre, Gjin Marku u kritikua ashpër dhe jo vetëm që nuk u zgjodh, në Komitetin Qendror, por menjëherë u shkarkua nga pozita e vet dhe faktikisht u likuidua politikisht.

Kongresi i Parë i P.K. të Shqipërisë e likuidoi definitivësh, bërthamën revolucionare të udhëheqjes së Partisë, e këputi kontinuitetin e revolucionit popullor në Shqipëri, ia hapi gjerësisht dyert Stalinit, për t’i komanduar Partisë së Punës së Shqipërisë dhe e legalizoi stalinizmin, si të vetmen metodë të udhëheqjes së Partisë dhe të popullit shqiptar. Si duket aplikimi i metodave staliniste, në kushtet e Shqipërisë, tregojnë ngjarjet që u zhvilluan pas Kongresit të Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Mbeturinat e së kaluarës partiake, lënë gjurmë shumë të dukshme në jetën e përditshme në Shqipëri. Lidhshmëria reciproke e njerëzve, anëtarëve të një familje, si një nga manifestimet e kësaj mënyre patriarkale të jetës, ka pasur edhe anë të veta pozitive, gjatë luftës për çlirimin e vendit. Ka ndikuar mjaft edhe në polarizimin e forcave, në kushtet e ndërlikuara të Luftës Nacionalçlirimtare. Ka ndodhur, gati si rregullisht, që të gjithë anëtarët e një familjeje, të jenë pjesëmarrës aktiv në revolucionin popullor, ose simpatizues të tij të përkushtuar, në qoftë se ka qenë komunist, ndonjë nga anëtarët e saj më autoritativë.

Nepotizmi në udhëheqjen e lartë të PPSH-së!

Natyrisht, me këtë nuk mund të shpjegohet çdo gjë. Pikëpamjet politike dhe përkushtimi ndaj ideve socialiste kanë luajtur rol vendimtar. Por, duhet të përfillet edhe ky faktor, meqenëse jo vetëm familje të tëra, grupe familjesh, por edhe lokalitetet komplete e madje edhe vise të tëra, ishin pa përjashtim për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në mbarë Shqipërinë. Në mbarë Komitetin Qendror, ekzistonte deri atëhere vetëm një çift bashkëshortor: Nesti Kerenxhi, kandidat për anëtar, trim, do të vë në dukje disa shembuj, që tregojnë se si zhvillohej gjithnjë e më shumë, sistemi i çifteve bashkëshortore, etj., bashkëshortja Nexhmija, anëtare e Komitetit Qendror, drejtore e Drejtorisë së Komitetit Qendror, anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor etj.

Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike dhe kryetar i qeverisë, bashkëshortja, Fiqiretja, kandidate për anëtare të Komitetin Qendror, sekretare e dytë e Komitetit të Qytetit të Tiranës, nënkryetare e Kuvendit Popullor. Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike, sekretar i dytë i Komitetit Qendror etj., bashkëshortja, Vito Kapo, kandidate për anëtare të Komitetit Qendror, kryetare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Josif Pashko, anëtar i Komitetit Qendror, ish ministër i Ndërtimit, bashkëshortja, Eleni Terezi, kandidate për anëtare të Komitetit Qendror, ndihmëse e ministrit të Industrisë.

Mund të përmenden edhe shembuj të tjerë të këtillë, meqenëse praktika që mbretëronte në organet më të larta, filloi së shpejti të aplikohet edhe në nivele të mesme dhe të ulëta të funksionarëve. Mbyllja e këtij rrethi, kolovajsja farefisnore, praktikohej edhe në vija të tjera. Rrjeti i miqve e dhëndurëve, është po aq interesant. Këtu do të vëmë në dukje, po ashtu si ilustrim, gjashtë palë miq e dhëndurë: Pirro Kondi, anëtar i Komitetit Qendror, krye shef i Drejtorisë së K.Q. të PPSh-së, dhëndri i tij Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike, sekretar organizativ i K.Q., Sadik Bekteshi, gjeneral-lejtnant, zëvendësministër i Mbrojtjes, anëtar i K.Q., dhëndri i tij, Manush Myftiu, anëtar Byrosë Politike, nënkryetar i qeverisë, dhëndri i tij, Pilo Peristeri, kandidat për anëtar të Byrosë Politike, kryetar i Komisionit të Kontrollit, dhëndëri i tij, Rita Marko, anëtar i Byrosë Politike etj. Bilbil Klosi, ministër i Drejtësisë, dhëndri i tij, Karaman Ylli, kandidat për anëtar të Komitetit Qendror të PPSh-së.

Klan i baxhanakëve në Byronë Politike!

Ekzistojnë edhe drejtime të tjera, si është thurur ky rrjet i komplikuar i lidhshmërisë reciproke. Këtë e tregojnë edhe këta katër çifte baxhanakësh, Hysni Kapo baxhanaku i tij, Gaqo Nesho, anëtar i Komisionit të Revizionit, sekretar i Komitetit të Qarkut të Vlorës. Adil Çarçani, baxhanaku i tij, Xhafer Spahiu, kandidat për anëtar të K.Q., kryetat i Komitetit për pasurinë

Minerale. Ramiz Alia, anëtar i Byrosë Politike, sekretar i Komitetit Qendror, baxhanaku i tij Bilbil Klosi, ministër i Drejtësisë. Manush Myftiu, baxhanaku i tij Pirro Kondi. Kështu në K.Q. të PPSh-së u formuan grupe të mëdha farefisnore, ndër të cilat, një nga grupet karakteristike është, padyshim ky: Vito Kapo, kandidate për anëtare të K.Q., kryetare Bashkimit të Gruas Antifashiste, bashkëshorti i saj Hysni Kapo, anëtar i Byros Politike, sekretar i dytë i K.Q.; vëllai i gruas së tij, Piro Kondi, anëtar i K.Q., dhëndëri i Sadik Bekteshit, Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politke dhe nënkryetar i qeverisë, dhëndëri i Manushit, Pilo Peristerit, kandidat për anëtar të Byrosë Politike, dhëndëri i Pilos, Rita Marko, anëtar i Byrosë Politike e të tjerë.

“Blloku” i udhëheqjes në Tiranën e Re, ku jetohet në luks dhe me roje!

Me valle të këtilla farefisnore, ishin lidhur edhe më shumë disa gjeneralë, ndihmës ministra, ambasadorë. Por, numërimi i lidhjeve të tyre reciproke, do të na çonte larg. Mirëpo, në esencë, rrethi nuk mbyllet në këtë mënyrë. Janë bërë përpjekje maksimale që ai, vizualisht nga jashtë, të duket sa më i izoluar, meqenëse ishte ndarë dhe izoluar krejtësisht kaherë prej popullit të Shqipërisë. Anëtarët dhe kandidatët për anëtarë të Byrosë Politike të PPSH-së, jetojnë në të ashtuquajturin “Bllok”, që është i njohur me emrin “Tirana e Re” dhe që gjendet mu në qendër të qytetit. Përbëhet prej dy rrugëve të vogla.

Në afërsi të “bllokut” banojnë anëtarët e K.Q. Në qendër të “Bllokut” janë vilat e rrethuara me kopsht plot gjelbërim të përhershëm. Tërë kjo pjesë, e cila përkujton ndonjë zonë ushtarake, është përplot mbishkrime të tipit: “Hyrja është e ndaluar”. Rreth e përqark, janë baraka mjaft të rralla të rojeve dhe shumë gardistë-rojtarë, të cilët shëtisin me kallashnikov mbi kraharor, për të siguruar respektimin e urdhrit në tabela. Natën, numri i gardistëve është më i madh. Nga “blloku” hyhet drejtpërdrejt në ndërtesë të K.Q. të PPSh-së.

Vetë ndërtesa, është projektuar në pajtim me hierarkinë e përgjithshme të udhëheqjes dhe me mosbesimin që mbretëron, ka katër hyrje:

Për anëtarët dhe për kandidatët e Byrosë Politike.

Për anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror.

Për funksionarët e nëpunësit e Komitetit Qendror.

Për personelin shërbyes.

Të gjitha hyrjet i kontrollon rigorozisht Sigurimi, pjesëtarët e të cilit, kontrollojnë me kujdes që asnjë anëtar i K.Q., të mos hyjë as të mos dalë, nëpër hyrjen që është caktuar për anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të atyre rasteve, kur është me ndonjë nga anëtarët e Byrosë Politike. Në fund të zonës, është një institucion shëndetësor special për udhëheqin, pastaj foshnjorja për fëmijët parashkollorë të udhëheqësve dhe shkolla për fëmijët e tyre të rritur. Në zonë është edhe “Shtëpia e Partisë”, në të cilën gjenden kinemaja, salla për lojëra argëtuese dhe bufeja e pasur, ku nuk paguhen ato gjëra që hahen e pihen.

“Shtëpia e Partisë” ka edhe televizorë, por mund të shihet vetëm program italian, meqenëse Shqipëria, ende nuk ka televizion të vet. Në “Bllok” janë edhe dy dyqane tregtare: njëri për anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, e tjetri për anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror. Asortimenti në to është i mirë. Ka mjaft mallra të vendeve të jashtme, nga vendet socialiste, por dhe nga ato kapitaliste, kurse çmimet janë më të ulëta se në qytet, të caktuara në bazë të privilegjeve, që i gëzojnë kategoritë e ndryshme të blerësve.

“Blloku” tjetër i udhëheqjes, në plazhin e Durrësit!

Disa fjalë lidhur me plazhin në Durrës. Zona specialist në plazhin e Durrësit, është disa herë më e gjerë, vilat janë më të shumta dhe ekziston edhe “shtëpia e Partisë” dhe shitoret, sikurse edhe në Tiranë, meqenëse shumica e udhëheqësve të PPSH dhe të RP të Shqipërisë, kalojnë një pjesë shumë të madhe të vitit në Durrës. Atje edhe flenë, kurse vijnë në punë në Tiranë me automobila. Anëtarët e K.Q. nuk paguajnë qira për vilat, në të cilat banojnë. Përveç kësaj, anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, kanë secili veç e veç, nga një gjellëbërës dhe nga dy shërbëtorë, nga një ose dy përcjellës, automobil dhe nga një shofer.

Kurse anëtarët e K.Q. nga një shërbëtore dhe nga një përcjellës, të gjithë këta pa kurrfarë pagese. Mirpo, një direktivë e Byrosë Politike, u ndalon të gjithë udhëheqësve, anëtarëve të K.Q. dhe të qeverisë, që të paraqiten jozyrtarisht në popull, të shëtisnin nëpër rrugët e Tiranës ose kudo në Shqipëri. U lejohet të qarkullojnë vetëm me automobila, përherë të përcjellë nga “hijet” prezent, detyra e të cilëve është e dyfishtë: t’i ruajnë udhëheqësit dhe më shumë, të kontrollojnë çdo hap të tyre.

Kështu rrethi mbyllet në mënyrë të pamëshirshme. Izolimi, në të cilin ka rënë sot shoqëria e Shqipërisë, është i plotë. Ky është para së gjithash izolim politik, por njëkohësisht edhe fizik, prej popullit të Shqipërisë. Likuidimi i njerëzve më të mirë të revolucionit, terrori masiv e ngritja e kampeve të përqendrimit, shtimi jashtëzakonisht i madh i aparatit burokratik-policor dhe ushtarak, këto janë pa dyshim, rezultatet konkrete më të rënda të fillimit të stalinizmit në vendin tim. Por, jo vetëm kaq. Është edhe diçka që më brengos, madje edhe më shumë, kur meditoj për të gjitha këto gjëra. Ky është fakti se stalinizimi ka hedhur farë të grindjeve, në marrëdhëniet ndër njerëzore. Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!