Në kuadër të ndeshjes mes Barcelonës dhe Borussia Dortmund në Champions League, mbrojtësi i gjermanëve, Achraf Hakimi, ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle ‘El Mundo’. Marokeni ka treguar gjithçka, duke filluar nga situata ku ai ndodhet momentalisht, planet për një rikthim tek Real Madrid si dhe si ka ndikuar racizmi ndaj tij dhe familjes që kur ai ishte fëmijë.
Racizmi në fëmijëri- “Familja ime erdhi në Spanjë për një jetë më të mirë. Unë kam lindur në Madrid dhe këtu ku jam sot jam falë familjes time. Mbaj mend edhe pse dokumentat ishin ok apo edhe pasaportat i kishim në rregull, gjithmonë policia na konsideronte si hajdutë makinash. Ishte e pashmangshme”, tregon mbrojtësi maroken.
Debutimi- “Do ta kujtoj gjithmonë telefonatën nga Zidane një ditë para debutimit. Isha në shtëpi dhe trajneri më tha se Carvajal ka një problem. Atë natë nuk munda të fle. Këtë të mërkurë luajmë në ‘Camp Nou’ dhe atje gjithmonë është një motivim të luash futboll. Besoj se do të bëjmë një ndeshje të bukur dhe do të avancojmë në fazën tjetër”.
Kthimi tek Reali- “Për momentin nuk e mendoj rikthimin tek Reali. Objektivi im është që ekipi të vazhdojë të rritet akoma më shumë dhe shpresoj që këtë sezon gjërat të na ecin sa më mirë. Besoj se e ardhmja ka rezervuar vetëm gjëra të bukura për ne”.
Mbrojtësi anësor është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm për Dortmundin, duke u kthyer dhe në një idhull për tifozët gjermanë. 21-vjeçari është aktivizuar në 9 ndeshje në Bundesligë, ku ka gjetur rrugën e rrjetës dhe 2 herë. Ndërsa në Champions League, Hakimi ka bërë rolin e sulmuesit për gjermanët, ku në 4 ndeshje ka po aq gola. /abcnews.al