Abcnews.al, zbardh dosjen e plotë të masakrës së Velipojës ku pas një sherri për shfrytëzimin e një pjesë rëre në plazh mbetën të vrarë 4 persona.
Sipas të dhënave nga dosja e masakrës ngjarja në fjalë rezulton se ka ndodhur për motive të dobëta, ku Hasan dhe Kujtim Ferracaku (vëllezër), janë konfliktuar me vëllezërit Gocaj pak orë para krimit, lidhur me ndarjen e shezllonëve në plazh dhe në darkë janë takuar për t’u sqaruar me ta.
Nga dëshmitë e marra rezulton se anëtarët e familjes Ferracaku (një numër i konsiderueshëm personash sipas dëshmive të marra paraprakisht) kanë shkuar te hoteli i vëllezërve Gocaj. Gjatë bisedës me Gocajt, debati është ashpërsuar dhe janë qëlluar me armë të dy palët. Nga personat e konfirmuar që kanë qenë në vendngjarje gjatë debatit janë të konfirmuar, viktima Kujtim Ferracaku, nipi i tij i mituri Elmedin Ylli, Hasan Ferracaku dhe tre djemtë e tij Astrit, Abedin dhe Shyqyri Ferracaku (të cilët vijojnë të jenë në kërkim).
Mësohet se Hasan Ferracaku në deklarimet e tij shpjegon se kishte disa ditë që ka pasur një konflikt për punë çadrash për në plazh me djemtë e Pjetër Gocajt nga Velipoja, ku ai ka marrë me qira ose leje për shfrytëzim të shezllonëve në plazh dhe tek vendi në fjalë kanë ndërhyrë edhe djemtë e Pjetrit dhe për këtë gjë janë konfliktuar.
Rreth mesnatës së 26 qershorit Hasan Ferracaku me persona të tjerë nga fisi i tij kanë shkuar tek lokali i djemve të Pjetrit disa metra me tutje lokalit të tij për tu sqaruar dhe është ulur në tavolinë me njërin prej djemve Gocaj dhe pasi kanë biseduar ka krisur arma. Sipas Hasan Ferracakut një nga vëllezërit Gocaj ka qëlluar me automatik drejt Kujtimit. Ky i fundit i është kundërpërgjigjur me pistolete dhe i është hedhur dhe ka kapur armen automatik të djalit të Pjetrit.
Ndërkohë nipi i Ferracakëve, Elmedi Dyli ka dhënë dëshminë e tij duke thënë se ishte në vendin e ngjarjes.
Ai shpjegon se pasi ka mbaruar punën rreth orës 23.30 ka dalë me stafin e lokalit para hotel Fantazisë për të pire kafe dhe aty ka dëgjuar debate që vinin përtej lokalit të Hasanit dhe siç kanë qenë bashkë kanë shkuar te vendi në fjalë. Aty ka parë Hasanin që ishte në tavolinë me një person duke sqaruar debatin midis tyre, kishte edhe persona të tjerë të pranishëm.
Në këtë kohë ka shkuar Kujtimi, gjyshi i tij dhe lëshon disa fjalë drejt tyre si “janë marrë këto, kush jeni ju”, etj dhe aty ka dëgjuar krisma arme që i kanë ardhur në krah nga pas tij dhe ka parë që Kujtimi është rrëzuar në tokë, aty kanë filluar edhe të shtëna me armë zjarri të tjera.
Sipas të miturit, armë kanë pasur Kujtimi Ferracaku, Hasan Ferracaku dhe Abedin Ferracaku djali i Hasanit, kurse pala tjetër ka pasur automatik. Pas të shtënave sipas tij, dhe gjyshi i tij Kujtimi është kundërpërgjigjur.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur në tarracën e hotel Gocaj një armë zjarri tip pistoletë dhe tre fishekë. Deri më tani mungon arma tip automatik që është shkrepur në vend ngjarje. Po ashtu është sekuestruar edhe një pistoletë tip T-T.
Fakti se në vendngjarje është qëlluar nga disa persona konfirmohet nga numri, lloji dhe modeli i gëzhojave që janë gjetur në vendin e ngjarjes, ku dyshohet se janë përdorur të paktën katër lloje armësh.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar një armë tip pistolete e llojit T-T, me 6 fishekë në krehër dhe një fishek në folenë e armës e gjetur dhe sekuestruar pranë viktimës Kujtim
Ferracaku, 8 gëzhoja metalike mod.54 mm, 5 gëzhoja metalike mod.56 mm, 5 gëzhoja metalike mod.7.65 mm, 1 fishek i pa plasur mod.7.65 mm, 3 copë predha arme zjarri.
Në vendin e ngjarjes konstatohen që gëzhojat janë gjetur në mënyrë të çrregullt e të shpërndara në të gjithë vendin e ngjarjes.
Sjellim ndërmend se nga përplasja me armë mbetën të vdekur Kujtim Ferracaku 59 vjeç, pronar i hotel “Fantazia”, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç që kishin hotelin “Gocaj” dhe jetimi fatkeq Musaen Zeneli 20 vjeç, që e kapi një plumb në zemër dhe i mori jetën në vend. Po ashtu u plagosën edhe Hasan Ferracaku, vëllai i biznesmenit që u vra dhe nipi i tij Elmedin Tyli. /abcnews.al/