Kujt i shërben Autoriteti i Konkurrëncës? Falen për herë të dytë importuesit e miellit, shqiptarët po e paguajnë bukën më shtrenjtë

schedule13:01 - 24 Shtator, 2021

schedule 13:01 - 24 Shtator, 2021

Ndërkohë që shqiptarët vijojnë të paguajnë çmimin e rritur të bukës prej disa javësh, haraç i mosfunksionimit të institucioneve, një tjetër skandal del në pah në lidhje me mënyrën se si kompanitë importuese vendosin bashkarisht çmimin e miellit dhe grurit duke patur kësaj radhe edhe tolerancën e institucioneve.

Edhe pse shtrenjtimi i çmimit të bukës është vërtetuar se është rezultat i një marrëveshjeje mes pesë kompanive importuese të miellit, Autoriteti i Konkurrencës nuk i ka gjobitur këta të fundit pavarësisht se bëhet fjalë për një shkelje ligjore që rëndon xhepat e konsumatorëve.

Lexo edhe: Shqiptarët të irrituar me shtrenjtimin e bukës: Importuesit e grurit, marrëveshje kartel

Mësohet se pas shtrenjtimit të çmimit të bukës, është organizuar një seancë dëgjimore mes përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Financave dhe pesë kompanive importuese të grurit dhe miellit në Shqipëri  ku u konstatua se këto të fundit nuk kishin përmbushur asnjë detyrim të vendosur një vit më parë nga Autoriteti i Konkurrencës.

Ligji parashikon që në këto raste, kompanitë të ndëshkohen me gjoba që shkojnë deri në 3 për qind të xhiros vjetore. Por, edhe pse është konstatuar shkelja një vit më parë, por edhe sëfundmi, Komisioni i Konkurrencës i ka falur sërish kompanitë e importit të miellit duke e bërë këtë për herë të dytë brenda vitit.

Lexo edhe: Shtrenjtimi i bukës, Konkurrenca i kapi me shkelje, por fali importuesit e miellit: Tani do shohim nëse do të gjobitën

Mësohet se tre nga anëtarët e këtij Komisioni nuk kanë pranuar të votojnë për të gjobitur kompanitë pavarësisht shkeljeve të konstatuara duke kërkuar një analizë të çmimit të bukës në treg.

Në këtë mënyrë, është gjetur një këllëf përmes të cilit të mos gjobiten kompanitë në fjalë, ndërsa qytetarët vijojnë paguajnë me djersën e tyre paaftësinë e institucioneve si Autoriteti i Konkurrencës për të vepruar.

Çfarë ndodhi një vit më parë?

Autoriteti i Konkurrencës mbylli një vit më parë një hetim mbi tregun e importit të grurit dhe miellit duke konstatuar se pesë kompanitë koordinoheshin me njëra-tjetrën për të përcaktuar çmimet në treg. Por, pavarësisht konstatimit të shkeljes së hapur, Komisioni i Konkurrencës, organi ekzekutiv i Autoritetit të Konkurrencës nuk i gjobiti, por i la disa detyra për të përmbushur gjatë këtij viti, të cilat do të verifikoheshin pikërisht në këtë periudhë.

“Konstatohet sjellja e bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal, sjellje e cila bie në kushtet e zbatimit të nenit 3 pika 4, dhe nenin 4 pika 1 gërma a dhe b të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”., thuhej në vendimin nr.700 (LINK) të Komisionit të Konkurrencës.

Kjo ishte falja e parë.

Falja e dytë ndodhi tani, kur Komisioni i Konkurrencës ka konstatuar se kompanitë në fjalë nuk kishin përmbushur detyrimet e vendosura një vit më parë, gjë që çoi edhe në shtrenjtimin e çmimit të bukës për qytetarët. Por, ndërkohë që priteshin gjoba ndaj tyre, Komisioni i Konkurrencës i fali sërish. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!