Kujt i përkasin objektet e lashta nëpër muzeume?

schedule20:12 - 8 Dhjetor, 2022

schedule 20:12 - 8 Dhjetor, 2022

Edhe pse të lashta, mermeret e Partenonit që ndodhen sot Muzeun Britanik në Londër janë ende të afta të shkaktojnë armiqësi dhe konflikte, madje edhe në nivelin politik. Ne quajmë “mermeret e Partenonit”, morinë e skulpturave dhe relieveve që dikur qëndronin në tempullin kryesor të Akropolit në Athinës, dhe që cilësohen ende sot si një kryevepër e historisë sënjerëzimit.

Në fillimin e shekullit XIX-të, ato u larguan prej andej dhe u dërguan në Angli nga konti Elgin, që në atë kohë ishte ambasadori britanik në Perandorinë Osmane (pjesë e së cilës ishte asokohe Greqia).

Çështja se cili muze duhet që t’i mbajë këto objekte të lashta është ende e hapur, dhe në Greqi debati është shumë i ndjeshëm si tek popullata ashtu edhe në mesin e politikanëve. Qeveria greke i ka kërkuar disa herë qeverisë britanike kthimin e tyre, madje edhe në një takim të kohëve të fundit.

Por në çdo rast ka marrë vetëm refuzime kategorike. Dhe “mermeret Elgin”, një emër tjetër me të cilin quhen ato, janë vetëm një nga shembujt më të njohur dhe më të spikatur, mbi një çështje më të gjerë dhe komplekse, që ka të bëjë me pronësisë legjitime të objekteve dhe monumenteve antike të pranishme në shumë nga muzeumet në vendet perëndimore.

Në fillim shumica e këtyre veprave nuk i përkisnin shtetit në të cilin ndodhen muzeumet që i strehojnë. Ndaj për një kohë të gjatë ka pasur një debat të fortë në fushën politike, historike dhe artistike, secili duhet të jetë vendimi më i arsyeshëm nga këndvështrimi historik apo edhe këndvështrimi artistik për statujat e lashta, shpesh të vjedhura apo të blera për pak para disa shekuj më parë, nga qytetet që sot i ruajnë nëpër muzeumet e tyre.

Një tjetër rast i famshëm i këtij lloji, është altari i Zeusit në tempullin e Pergamit, pjesa më e madhe e të cilit ndodhet tani në Berlin. Ai është ndërtuar në shekullin II Pas Krishtit në një territor që tani është pjesë e Turqisë.

Kohët e fundit, revista “History Today” ka mbledhur pikëpamjet e disa historianëve dhe studiuesve që ndihmojnë në orientimin në këtë debat. Joanis Stefanidhis, profesor i historisë së diplomacisë në Universitetin e Selanikut, citon për shembull historinë e Kuajve të Shën Markut, një skulpturë prej bronzi që përshkruan 4 kuaj, dhe që dikur – ndoshta midis shekujve IV dhe II Pas Krishtit – ndodhej në hipodromin e Kostandinopojës, Stambollin e sotëm.

Në vitin 1204, kur qyteti u plaçkit nga kryqtarët, kuajt u dërguan në Venecia dhe mbetën atje për shekuj me radhë. Në vitin 1797, Napoleoni i mori gjatë fushatave të tij ushtarake në Itali dhe i vendosi në Harkun e Triumfit në Paris. Pas humbjes së tij në Vaterlo, kuajt u çuan sërish në Venecia, në Bazilikën e Shën Markut, ku ndodhen edhe sot.

“Kush ka në fakt të drejtë të kërkojë riatdhesimin e kësaj vepre?”- pyet Stefanidhis në mënyrë retorike, duke përmendur ligjin e riatdhesimit të veprave të artit të parashikuar nga UNESCO. Francezët, që e vodhën për herë të dytë? Kronologjikisht, përgjigja është e thjeshtë:Konstandinopoja në formën e saj aktuale, Stambollin. Pra a kanë të drejtë turqit që të rimarrin këtë vepër, duke pasur parasysh lidhjen e tyre me hipodromin dhe pavarësisht mungesës 9-shekullore, dhe pavarësisht se kuajt nuk kanë asnjë lidhje me kulturën osmane apo turke? (Ato janë në fakt produkt i kulturës romake apo helenistike, në varësi të interpretimeve).

“Riatdhesimi i objekteve të zhvendosura nga vendndodhja e tyre origjinale, përpara se kjo praktikë të bëhej e paligjshme, ngre pyetje të cilat nuk mund të marrin një përgjigje të përgjithshme”-thotë Stefanidhis. Nga ana tjetër, Mari Rode, profesoreshë e historisë afrikane në SOAS në Londër, ka një pikëpamje më radikale.

Sipas Rode, artefaktet e lashta duhet të kthehen në vendin e origjinës, pasi “janë grabitur apo blerë për një vlerë shumë më të ulët sesa vlera e tregut në atë kohë”, dhe fakti që pretendohet se është e vështirë të rindërtohet prejardhja e tyre është një mashtrim.

Rode thotë se mungesa e informacionit për një objekt të caktuar, ndodh shpesh për shkak të paaftësisë dhe jo vështirësive objektive. “Unë jam shumë e habitur nga numri i madh i  gabimeve që vërej duke u endur nëpër ekspozitat e ndryshme në Afrikë”- thekson ajo.

Shumë prej objekteve të lashta nga vendet afrikane dhe ato në Lindjen e Mesme kanë histori të grabitjeve dhe trafikimit të paligjshëm të tyre.

Rode thotë se muzeumet dhe koleksionistët kanë nisur t’i rikthejnë këto objekte si pjesë e një procesi dëmshpërblimi në favor të atyre vendeve që ishin viktima të kolonializmit dhe imperializmit evropian. Vitet e fundit ka pasur disa raste kthimesh të këtij lloji, të cilat zakonisht kanë domethënie politike dhe diplomatike.

Ky është një rezultat që vjen kryesisht për shkak të veprimit të UNESCO-s, organizatë e cila që nga viti 1978 ka krijuar një komision ndërqeveritar për të inkurajuar rikthimin e pasurive kulturore të marra në mënyrë të paligjshme. Objektivi i komisionit është të promovojë marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve të përfshira, duke i ndihmuar ata të gjejnë një marrëveshje për rimbursimet e mundshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!