Një 26 vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia britanike, pasi akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Mediat vendase bëjnë me dije se i riu shqiptar Ernest Sinani i cili punonte në një kafe në Milton Keynes, pas humbjes së punës për shkak të pandemisë është marrë me prodhimin e lëndëve narkotike.
Shqiptari i cili jetonte në Burnley është shpallur fajtor për prodhimin e kanabisit. Arrestimi i tij është bërë pasi policia zbuloi fermën e kanabisit kur morën pjesë në një raport për një vjedhje në zhvillim në Dane Street. Ata gjetën 55 bimë që rriteshin në një dhomë në katin e poshtëm dhe dy dhoma gjumi me sisteme të sofistikuara të ujitjes, ngrohjes dhe ventilimit.
Sinani pranoi rolin e tij në kultivimin e bimëve dhe gjithashtu pranoi se kishte shkuar me kamion në Britani në vitin 2016.
Ndër të tjera i riu shqiptar ka theksuar se para dy mujash kishte lënë punën në Costa Coffee në Milton Keynes kur foli me një tjetër shqiptar dhe filloi të merrej me kultivim të lëndëve narkotike.
Ndërkohë avokati i tij Daniel Frazer, ka thënë se ai është shpallur fajtor si kopshtar, jo si i përfshirë në organizimin e fermës së kanabisit.e.su./abcnews.al