Kancelarja gjermane Angela Merkel ka pritur të mërkurën në një takim kryeministrin britanik Boris Johnson, të cilit i ka ofruar 30 ditë kohë për të gjetur një alternativë ndaj opsionit të kufirit irlandez. Nga ana e tij, Johnson ka pranuar afatin dhe faktin se topi tashmë është në fushën e Londrës.
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar të mërkurën lidhur me Brexit se një alternativë ndaj kufirit irlandez mund të gjendet brenda 30 ditëve. Duke folur në një konferencë për shtyp përkrah kryeministrit britanik Boris Johnson në Berlin, kancelarja nënvizoi se i takon Mbretërisë së Bashkuar që ta ofrojë këtë alternativë, e cila sipas saj duhet të jetë funksionale.
Nga ana e tij, kryeministri britanik deklaroi se është i kënaqur me afatin, sipas tij të vështirë, që ka propozuar kancelarja. Ai e pranoi faktin se “barra” tashmë i takon Britanisë, por tha se beson se ka hapësirë të mjaftueshme që mes palëve të arrihet një marrëveshje e re.
Merkel dhe Johnson po takohen në Berlin një ditë pasi shefi i Doëning Street i shkroi një letër liderëve europianë, ku u kërkonte shmangien e kufirit irlandez pas daljes së Britanisë nga BE-ja.
Ekzistenca e një kufiri të tillë do ta bënte Irlandën e Veriut të lidhur me disa rregulla të Unionit që kanë të bëjnë me tregun e përbashkët. Gjithashtu, ajo do ta mbante Mbretërinë e Bashkuar në doganën e përbashkët me Europën dhe të lidhur me ligjet e saj për konkurrencën.
BE ka përsëritur disa herë se marrëveshja e tërheqjes e negociuar nga ish-kryeministrja May, që përfshin kufirin me Irlandën e Veriut, nuk mund të rinegociohet. Por në konferencën për shtyp, Merkel nënvizoi se alternativa ndaj kufirit kërkon qartësi absolute, pasi nga ajo varet marrëdhënia e ardhshme mes Londrës dhe Brukselit.
Nga ana e tij, Xhonson u përgjigj: “Ju keni të drejtë kur thoni se barra është mbi ne për të prodhuar këtë zgjidhje dhe është pikërisht ajo çka ne duam të bëjmë”, tha Xhonson. Ai u shpreh mëse i kënaqur me afatin 30-ditor të ofruar nga Merkel për të arritur zgjidhjen e kërkuar./ABC News Albania 24/7