Pagat e majme të lojtarëve, sidomos të atyre që luajnë në Premier League shkaktojnë shumë probleme në financat e klubit e shumë herë çojnë deri në marrjen e vendimeve drastike apo deri në faliment.
Kështu, sipas raportimeve më të fundit nga prestigjiozja britanike, “The Times”, klubet e Premier League po konsiderojnë zbatimin e kufijve të shpenzimeve dhe ideja është që pagat e lojtarëve të vendosen në raport me shumën që klubi i vendit të fundit në ligë do të marrë nga të drejtat televizive.
Nëse ideja miratohet, lista e pagave të klubeve kryesore do të kufizohet në 4 herë më shumë se të ardhurat e të drejtave televizive të klubit të 20-të të ligës, megjithëse proporcioni i saktë ende nuk është përcaktuar.
Propozimi buron nga dëshira për të mbajtur ligën konkurruese dhe shqetësimet për një boshllëk financiar në rritje midis klubeve që marrin pjesë në Champions League dhe pjesës tjetër të “elitës” angleze. /i.m /abcnews.al