Kualifikueset e Evropianit për vajza / Riza: Jemi pretendentë për vendin e parë në grupin C5

schedule17:51 - 10 Mars, 2024

schedule 17:51 - 10 Mars, 2024

Shqipëria e vajzave njohu të martën kundërshtaret për kualifikueset e Europianit “Zvicër 2025”. Në shortin e hedhur nga UEFA në Nyon të Zvicrës, goglat e pozicionuan Kombëtaren e vajzave në grupin C5, përballë Estonisë dhe Luksemburgut.

Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave në FSHF, Florian Riza ka komentuar shortin dhe rivalet e Shqipërisë në kualifikueset e Europianit “Zvicër 2025”.

“Shorti na vuri përballë me Luksemburgun dhe Estoninë. Në fakt ne jemi kokë grupi dhe jemi në një grup me tre ekipe, i vetmi për Ligën C të kualifikueseve për Europianin “Zvicër 2025”. Ekipet janë relativisht të forta, por mendoj që edhe ne jemi një ekip i fortë dhe pretendentë për të dalë të parët, për të kaluar më pas në Ligën B.

Objektivi? – Rikthimi në Ligën B të UEFA Women’s Nations League, është një objektiv për ekipin tonë”,- tha fillimisht Florian Riza e më tej, Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave në FSHF shpjegoi edhe skemën e kualifikueseve në rrugën drejt Europianit “Zvicër 2025”.

“Skema funksiononë e tillë, që vendi i parë i çdo grupi në Ligën C, pra pesë prej tyre dhe tre të dytat më të mira, pra tetë ekipe do të ndeshen në raundin e parë Play-off me katër ekipet e fundit dhe katër ekipet e parafundit të Ligës A. Fitueset e këtij Play-off do të ndeshen me fitueset e Play-off të Ligës B, që në total do të bëjnë 14 ekipe dhe prej tyre do të dalin shtatë ekipe, që do t’i bashkohen tetë ekipeve të para të Ligës A dhe Zvicrës që organizon “Euro 2025” për vajza.

Kalendari? Shorti i UEFA-s na i vuri data e ndeshjes në një pozicion të vështirë, por ne arritëm që nëpërmjet komunikimit me dy ekipet e tjera kundërshtare të përcaktonim një short tonin. Pra ndeshja e parë do të luhet në Luksemburg më datë 5 prill, e dyta më 9 prill ndaj Estonisë në “Air Albania”. E treta do të jetë në Estoni më datë 31 maj dhe ndeshja e fundit në “Elbasan Arena” me Luksemburgun”,- tha Florian Riza. /FSHF