Kualifikueset e Europianit për femra, Shqipëria U19 thyhet nga Izraeli

schedule16:12 - 5 Prill, 2022

schedule 16:12 - 5 Prill, 2022

Shqipëria U-19 për femra ka zhvilluar këtë të martë ndeshjen e parë në raundin kualifikues të Evropianit U-19 ndaj Izraelit, që u fitua nga vajzat izraelite me shifrat 2-0. Kjo sfidë u zhvillua në kompleksin “Arslan Zeki Demirci Spor” në Turqi.

Trajneri Krepi e nisi lojën me këtë formacion: Hyska (c), Avullija, Tanushi, Gjergj, Vuksani, Caka, Mema, Kalaja, Hamonikaj, Armoku, Kacorri.

Rasti i parë erdhi menjëherë në minutën e 3-t për vajzat kuqezi, me Iris Armokun që merr topin dhe kroson nga e djathta për Klea Hamonikaj në zonë, që gjuan lehtë, me topi që përfundon në duart e portieres kundërshtare. Skuadra kontrolloi mirë topin, por në minutën e 29-të, izraelitet do të ndëshkonin Shqipërinë me Maria Almasri që kaloi në avantazh rivalet.

Vajzat kuqezi tentuan të reagonin pas këtij goli, me Marinela Memën që gjuajti fort nga jashtë zone një top që goditi traversën në minutën e 35-të. Izraelitet realizojnë edhe golin e dytë në minutën e 41-të, me Almasrin sërish që realizon dopietë në këtë sfidë.

Me nisjen e pjesës së dytë, skuadra tentoi të ndryshonte rrjedhën e lojës, duke e pasur topin më shumë nën kontroll dhe duke krijuar raste, por pa finalizuar dot. Krepi bëri edhe tre ndryshime përgjatë këtij fraksioni të dytë, duke nxjerrë nga loja Kacorrin, Cakën e Avullijën për Cemerin, Pucën e Gjatën.

Shqipëria U-19 për femra do të zhvillojë ndeshjen e dytë ndaj Qipros tre ditë më vonë, ndërsa sfida e tretë dhe e fundit do të jetë ndaj Turqisë, vendit pritës më 11 prill. / fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!