Napoli vuajti përballë Interit në “San Paolo”, por ia doli të evitojë humbjen dhe të kualifikohet në finalen e Kupës së Italisë. Miqtë shënuan që në minutën e dytë, por Mertens barazoi shifrat katër minuta para mbylljes së pjesës së parë. Ndeshja përfundoi 1-1 dhe klubi jugor u kualifikua pas fitores 0-1 në ndeshjen e parë jashtë fushe.
Një sukses që gëzon pafund Gennaro Gattuson, i cili humbi motrën e tij pak ditë më parë. Kualifikimi shkon për të dhe për prindërit e tij. Trajneri i Napolit foli hapur si gjithmonë pas ndeshjes, duke komentuar kalimin e djemve të tij në finalen e 17 qershorit kundër Juves së Sarrit.
“Kualifikimin ia dedikoj prindërve të mi dhe motrës që nuk është më. U treguam si pula te goli i pësuar në fillim, por treguam se jemi në gjendje të vuajmë. Ospina nuk kishte faj te goli. Skuadra bëri një punë të mirë dhe jam i kënaqur.
Dua t’i falënderoj të gjithë për faktin që më kanë qëndruar afër pas humbjes së motrës. Insigne? Kam një raport shumë të mirë me të, por edhe me gjithë të tjerët. Kam një skuadër të fortë dhe na ndihmon fakti që mund të bëjmë 5 zëvendësime.
Rinovimi? Nuk mendoj për paratë, mua më pëlqen të punoj me ata që më ndjekin dhe më vlerësojnë. Napoli më ka dhënë mundësinë të stërvis lojtarë të fortë. Unë kam dëshirë të vazhdoj të punoj këtu“, deklaroi Gattuso. /abcnews.al