“Kualifikimi një ëndërr”, Sylvinho gati për Evropianin: Do të punojmë si të çmendur

schedule13:36 - 29 Dhjetor, 2023

schedule 13:36 - 29 Dhjetor, 2023

Bëri të paimagjinueshme, në vetëm 8 ndeshjet e para me Kombëtaren tonë. Tekniku Sylvinho është pa pikën më të vogël të dyshimit, “dirigjenti” i kësaj skuadre “Kuqezi”, që po na bën me të vërtetë krenarë dhe tashmë “maestro” brazilian është gati për fazën finale të Euro 2024 e më pas kërkon kualifikimin historik në një Kupë Bote.

Në një intervistë për prestigjiozen spanjolle, “Marca”, trajneri brazilian i Shqipërisë theksoi se këto gjashtë muaj, ai dhe stafi i tij i ngushtë do të punojnë si “të çmendur” për të bërë një paraqitje dinjitoze në Evropian, aty ku “Legjionarët” tanë janë shortuar në Grupin B së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.

Intervista e plotë e teknikut Sylvinho:

Si përfundoi Sylvinho në Shqipëri?

Ndodhi gjatë një darke në Milano, e kuptova se bëhej fjalë për një ofertë të mirë në të gjitha termat. Më pas udhëtova në Tiranë dhe më pëlqeu. Filluam të punonim si të çmendur, aq shumë sa vetëm para pak kohësh zbulova bukurinë e papërshkrueshme të jugut. Nuk do ta kisha imagjinuar që do të punoja në Shqipëri, por bota e futbollit i ka këto. Ka raste kur firmos një kontratë pesëvjeçare dhe largohesh që në vitin e parë, e po ashtu ka raste kur firmos për një vit dhe qëndron për shumë vite.

Çfarë dije për futbollin shqiptar para se të punoje atje, apo edhe për gjuhën shqipe?

Për futbollin dija shumë pak, por shpejt kuptova se projekti ishte i duhuri. Mbërrita në Tiranë dhe pashë se gjithçka ishte gati, strukturat ishin perfekt. Pastaj shumë lojtarë të kombëtares janë pjesë e Serie A apo e ligave më të rëndësishme në Europë. Pse të mos e pranoja ofertën?! Nuk kishte arsye për të thënë jo.

Sa i përket gjuhës shqipe ajo është shumë e vështirë, por nuk është se na duhet një përkthyes. Aty të gjithë dinë italisht apo anglisht. Komunikimi me lojtarët është shumë i lehtë.

Si është një ditë punë e zakonshme?

Jam me Doriva-n që ka qenë një lojtar i Celta Vigo-s dhe me Zabaleta-n. Ai lëviz më shumë mes Tiranës dhe Barcelonës. Punojmë shumë, shkojmë në Federatë dhe më pas në hotel për të ndjekur ndeshjet e lojtarëve. Ushqimi pastaj është shumë i shijshëm, kështu kanë kaluar këto 10 muajt e fundit, por jam shumë i lumtur. Nëse të pëlqen futbolli atëherë e shijon edhe këtë jetë”.

Ndjesia e përballjes me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë në Euro 2024?

Në këto gjashtë muaj ne do të punojmë si të çmendur, është një ëndërr më vete fakti që jemi në Evropian. Por, duam më shumë, lojtarët kërkojnë më shumë. Do të testojmë veten për të kuptuar cilët jemi, është e qartë se bëhet fjalë për një grup shumë të vështirë, por do të mundohemi.

Cilën lojtar do t’ia merrje Spanjës?

Vetëm njërin. Spanja ka shumë, por unë zgjedh vetëm një prej tyre. E kam fjalën për Rodrin, është pikë referimi për Spanjën dhe për City-n. Është një futbollist i madh.

Ke folur shpesh për Botërorin, kërkon të jesh trajneri i parë që dërgon Shqipërinë në një Kupë Bote?

Futbolli më ka mësuar se gjithçka lëviz shumë shpejt. Dua të punoj dhe t’i bëj gjërat mirë, por nuk e di për sa kohë. Dua që skuadra të mësohet me kompeticionet dhe garën. Dua që njerëzit të thonë se Shqipëria është një kundërshtar i vështirë. Duhet të jemi të bashkuar dhe të luajmë me zemër, kështu u kualifikuam në Europian. Ta shohim çfarë do të rezervojë e ardhmja. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!