Ku po shkon e dashur Jorida?!

schedule19:01 - 19 Tetor, 2024

schedule 19:01 - 19 Tetor, 2024

Nga Brizida Gjikondi

Nëse duhet pak për të shkatërruar të tërën, atëherë kjo e tëra paska qënë një asgjë.

Dikur të pashë në një intervistë me skype nga shtëpia ku vajza e vogël kërkonte vëmëndjen tënde, më preku ajo skenë dhe më konfirmoi ndjesinë që kisha për ty, anën tënde njerzore, të një vajzë qytetare me këmbë në tokë, e fisme dhe e ekuilibruar.

Përherë të kam diferencuar me kusurin e grave në politikë, sepse ke diferencuar veten. Integriteti, qetësia, kthjelltësia, nuhatja dhe iniciativa për çështje me interes shoqëror, më janë dukur një veshje që të rrinte bukur dhe natyrshëm.

Por shpesh raportet e errësirës me dritën janë të brishta, sidomos kur ambicja për karrierë tejkalon dhe shkel mbi parimet e moralit qytetar personal.

Errësira tërheq errësirën, urrejtja dhe dhuna po ashtu,ja si je shprehur në 9 janar 2022, kur Berisha sulmoi egërsisht selinë e PD, fjalët e tua tekstualisht janë :   “Vetëm dikujt që nuk i bëhet më vonë për PD mund të urdhëronte sulmin kundër saj. 8 janari ishte dita e fundit e Sali Berishës në politikë. Dje ishte një ditë e trishtë…”

Emri yt në listën e protestës së Berishës para Parlamentit Evropian në Strasburgu është një moment kthese në karrierën tënde morale politike, e përsëris, morale, sepse me karrierë imorale është dënglas politika shqiptare.

Gjithmonë veprimet që bëjmë në çdo moment janë dallgë që formëzojnë realitetin tonë nesër dhe perceptimin e të tjerëve për konseguencën tonë.

Ne duhet të jemi përherë katalizatorë të së mirës, së gjykimit të drejtë, të mos përdorimit nga askush tjetër për veç se rrugëtimit tonë të nisur me 100 sakrifica, përballje me intrigat dhe hijenat që janë me tonelata në politikën shqiptare.

Eshtë e vështirë rruga e grave në politikë, sidomos kur mardhënien e kanë me moralin qytetar dhe kombëtar dhe jo me emra të përveçëm.

Por konseguenca tu kushtëzua dhe deformua nga “pushteti” i Berishës mbi listat e Deputetëve, momente të së vërtetës këto…

Harrove çka ke thënë për reformën zgjedhore por dhe për vetë Berishën dhe përdorimit që po i  bën ai PD për hallet personale me drejtësinë. Pikërisht në Shkurt të këtij viti për Zërin e Amerikës ke thënë “PD të mos përfshihet në betejën e Berishës me drejtësinë”

Ju e dini fort mirë se beteja e berishistëve dhe tashmë dhe e juaja me karriget dhe xhaketat e lagura me benzinë, nuk është për demokracinë shqiptare dhe shqiptarët sidomos, nuk jeni aq miope apo jo.

Gjithë ky agresivitet artificial dhe klimë e ndyrë hipokrite ka të bëjë vetëm me pazaret e kahershme politike që bëni me njëri tjetrin PS dhe rijetësimi i Berishës nën përdhunën e PD’së së mbetur.

Nga këto pazare u mor vula dhe sidomos ri’masakra mbi hermetizimin e sistemit zgjedhor, masakër e cila përcëlloi dhe balluket e moralit tuaj politik.

Por ju nuk ju bëhet vonë për klimën psikologjike dhe kombëtare që zbrazni mbi shqiptarët, ju jeni totalisht të shkëputur, nuk është kjo që i duhet Shqipërisë.

Përçarja, urrejtja dhe armiku i një gjaku janë pjella djallëzore që përherë në shekuj kanë dëmtuar Shqipërinë, jo aq ata që e kanë pjellë atë.

Ju zonja Tabaku jeni Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe e Komisionit Parlamentar për Çështjet me BE-nëkeni kanale dhe ura komunikimi me të gjithë faktorët evropianë, si jashtë edhe brënda Shqipërisë, pasi Institucionet ndërkombëtarë kanë përfaqësi dhe përfaqësues seriozë në vendin tonë.

Nuk besoj se kanë vdekur rrugët institucionale të komunikimit që ju të katalizonit rrugët e preferuara të Berishës, ato të dhunës.

Ja cfarë keni thënë ju si kryetare e këtij komisioni parlamentar në maj të këtij viti : “Opozita ka qenë pjesë aktive për procesin e Integrimit. Nëse ka pasur një rol pozitiv që ka luajtur opozita, është fakti se ne nuk bëhemi kurrë pengesë”

Ju si drejtuese e Komisionit të Integrimit duhet të ishit e fundit që të promovonit këtë rrugë hipokrite dhe kaçake.

Përpara Parlamentit Evropian në Strasburg deri më tani kanë protestuar, grupe që nuk kanë status institucional dhe mardhënie institucionale me BE’në, bujqit me traktoret e tyre, ambjentalistja Greta Thunberg, fëmijët jetimë me nënë gjallë… dhe Ju që kërkoni lirimin e Berishës dhe gjoja pjesmarrjen në qeverinë teknike.

Pseudo protesta përpara BE’së vjen nga errësira e mëndjeve djallëzore që përherë shqiptarëve ju kanë zgjuar dhe shumuar të ligën jo të mirën.

Protesta do mbarojë, si shumë të tjera, turpi dhe përçarja që ju mbillni {mbi shqiptarët e kam fjalën se për politikën nuk ja u qanë kush hallin se e gjeni pazarin}, do mbetet.

Dhuna është impotencë, duhet ta dish, sidomos kur është e vetmuar,  nuk e ke parë që nuk u mbështet kush ?! Nuk e ke kuptuar që si majtas e djathtas i keni neveritur shqiptarët.

Teatri juaj është shumë mediokër, recitiv, shterpë dhe i trishtueshëm, pjesmarrja juaj në të, zhgënjyese, perdja ra bashkë me të dhe fasada juaj.

Emri në listën e Berishës nuk duhet të kompromentonte rrugëtimin tënd, pasi shpesh nuk rrojmë vetëm për vete, por edhe për të përçuar vlera konseguente.

Po si thonë, më e vështirë është ta mbash fitoren se ta arrish atë. marinari i mirë njihet në stuhi, marinara i mirë nuk shitet aq më pak për një vend në listën e helmuar të Berishës.