Ku janë gratë në pozitat drejtuese të BE-së?

schedule08:15 - 8 Gusht, 2024

schedule 08:15 - 8 Gusht, 2024

Në letër, gjithçka është e qartë: gratë dhe burrat duhet të kenë mundësi të barabarta në BE. Në praktikë, gjërat duken ndryshe.

Në javët e ardhshme, Ursula von der Leyen duhet të zgjidhë një detyrë të vështirë: me cilin ekip do të punojë në mandatin e saj të dytë në krye tëKomisionit Evropian. Detyra specifike është: ndarja e detyrave në mënyrë që secili shtet anëtar i BE-së të jetë të paktën disi i kënaqur. Jo të gjitha departamentet në Komisionin Evropian kanë të njëjtin ndikim dhe të njëjtin reputacion. Në fund do të ketë edhe zhgënjime, edhe shpërblime ngushëllimi.

Por ka një detyrë shtesë të vështirë. Ursula von der Leyen dëshiron të përsërisë atë që arriti në mandatin e saj të parë si kryetare e Komisionit të Bashkimit Evropian. Kur takohet me të besuarit një herë në javë, ajo dëshiron të ketë një numër të barabartë grash dhe burrash rreth tryezës së madhe. Deri më tani, raporti ishte 14 burra me 13 gra.

Anëtarët e BE-së vendosin bashkë

Por jo gjithçka është në duart e Ursula von der Leyen kur ajo dëshiron të arrijë barazinë midis grave dhe burrave. Është e vërtetë që ajo e ka fjalën e fundit në vendimet e personelit, por propozimet për komisionerë të mundshëm vijnë nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së. Çdo vend ka të drejtë për një vend në Komision. Gjermania dhe Estonia janë tashmë të përfaqësuara: Presidentja von der Leyen është nga Gjermania dhe Komisionerja për Politikën e Jashtme Kaja Kallas është nga Estonia.

Po të tjerët? Javën e kaluar, von der Leyen u dërgoi letra presidentëve të shteteve dhe qeverive dhe u kërkoi atyre të dërgonin emrat e tyre, një burrë dhe një grua secila. Përjashtim bëjnë ata komisionerë që mbeten në pozicionin e tyre aktual. Sllovakia zgjodhi edhe një herë Marosh Shevçoviçin, Franca vendosi për Thierry Breton dhe Kroacia Dubravka Shuican.

Me ofertën aktuale të emrave është e vështirë të arrihet qëllimi

Është e mundur që von der Leyen u ka dhënë tashmë disa sugjerime presidentëve të shteteve dhe qeverive: ia vlen të propozohen një grua dhe një burrë kur shpërndahen portofole me apel të ndryshëm. Por tashmë është e qartë se shumë qeveri nuk i përmbahen dëshirave të Presidentit të Komisionit. Irlanda emëroi Michael McGrath, i cili tashmë ka dhënë dorëheqjen si ministër i Financave.

Kryeministri Harris thotë se në këto rrethana nuk do të ishte e drejtë të dërgohej një emër tjetër në Bruksel. Sllovenia dhe Republika Çeke zgjodhën nga një mashkull secila. Suedia dhe Spanja konkurrojnë vetëm me nga një grua secila. Sipas situatës aktuale, duket se nuk do të jetë e mundur një shpërndarje e barabartë midis burrave dhe grave.

Procedura e komplikuar

Ursula von der Leyen u kërkoi krerëve të shteteve dhe qeverive që t’i jepnin përgjigje deri më 30 gusht. Komisioni nuk ka dashur të thotë se sa përgjigje ka marrë deri tani, sipas një hulumtimi të televizionit gjerman ARD. Por, edhe pas skadimit të asaj periudhe, nuk do të jetë e qartë se cili është raporti i burrave dhe grave në komision. Në Komision hyjnë vetëm ata që kalojnë seancën dëgjimore disa orëshe në Parlamentin Evropian.

Ka padyshim shumë gra në poste drejtuese në Bashkimin Evropian deri më tani. Ursula von der Leyen ruan postin e Presidentes së Komisionit, ndoshta posti më me ndikim në Bruksel. Strategjia e barazisë gjinore e ka origjinën që në mandatin e saj të parë.

Tashmë janë arritur disa pika, si një paketë masash mbrojtëse ndaj dhunës apo një ligj që garanton ekuilibrin në bordet mbikëqyrëse të kompanive të mëdha. Kreu i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) është Christine Lagarde, kreu i Bankës Evropiane të Investimeve është spanjollja Nadja Calvinho. Kryeprokurorja e parë evropiane është Laura Kövesi.

Komitetet e ekspertëve përbëhen kryesisht prej burrave

Ndryshe është në Parlamentin Evropian. Për presidencën, rregullorja e punës parashikon një marrëdhënie të ekuilibruar mes gjinive. PE ka 14 nënkryetarë. Presidentja Roberta Metsola mbetet në krye.

Por në komisionet dhe nënkomisionet e ekspertëve, ku zgjidhet një kryetar dhe katër deputetë, situata është ndryshe. Deri më tani janë zgjedhur 114 nga 120 zyrtarë. Përqindja e femrave është 43.9 për qind. Nëse shikojmë postet presidenciale, përqindja e grave është edhe më e ulët: 37.5 për qind.

Lufta kundër të djathtës është më e rëndësishme se barazia gjinore

Ndonjëherë qëllimi i barazisë gjinore shkelet qëllimisht – për arsye politike. Partitë që e përkufizojnë veten si qendra politike synojnë të pengojnë partitë e ekstremit të djathtë të fitojnë ndonjë pozicion drejtues.

Një shembull konkret: në Komisionin për Politikë të Jashtme, pozita e deputetit të katërt duhej t’i kalonte një gruaje. Grupi Patriotët për Evropën ka nominuar Kinga Gal nga Fideszi hungarez e nuk pati kundërkandidatë nga partitë e qendrës,në fund pastaj u zgjodh një kristiandemokrat nga Rumania. Në atë rast, muri mbrojtës kundër të djathtës radikale ishte më i rëndësishëm se barazia gjinore. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!