“Ku e ke maskën”, u shoqërua në polici, Seranaj në ABC: Civili dha urdhër, na rrahën

schedule12:47 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 12:47 - 21 Dhjetor, 2020

Astrit Seranaj njëri nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ka treguar në studion e ABC momentin e shoqërimit nga uniformat blu, dy netë më parë në zonën e pedonales në kryeqytet. Ai tha se fillimisht është ndaluar nga policët me uniformë të vendosur në këtë pjesë të qytetit ku prej disa netësh kalon për t’iu bashkuar aktivistëve të tjerë.

Por ndryshe nga ditët e mëparshme, policia nuk e ka lejuar të kalojë. Pastaj thotë ai me urdhër të policëve civilë, ata me uniformë kanë ndryshuar menjëherë qëndrim duke e shoqëruar. Seranaj thotë se i kanë kërkuar llogari edhe për maskën ndërkohë që janë kujdesur që pas shoqërimit ta dërgojnë pas makinës duke e goditur larg syrit të kamerës.

“Pardje nuk na lejuan në pedonale ndërkohë që njerëzit e tjerë po kalonin. Në një pjesë që është e hapur kalonin njerëzit. Policia ushtronte kontrolle dhe disa lejoheshin, disa nuk lejoheshin. I thashë do shkoj aty ku shkoj përnatë. Më thanë kthehu mbrapa. Në momentin kur jam kthyer policia civile ndryshoi qëndrim. Dhanë urdhër të më kapnin. Policia pastaj më shoqëroi. Nga mbrapa meje pas shpine kishte policë civilë. Ata ndryshuan qëndrimin. Unë pasi kisha dalë jashtë gardhit u filmua një video. Më kanë kapur me forcë. Unë i kamë thënë nuk është e nevojshme dhuna sepse unë vij nuk është problem.

Pastaj më tha nuk ke maskë. E kam maskën i thashë. Se unë po nxitoja. Këta atë nxitimin tim mund ta kenë marrë për arrogancë. Çdo natë më kanë lejuar. Në momentin që po më merrnin mua më futën pas një makine që të mos filmohej. Aty më kanë qëlluar dhe gjithë kohës jam keqtrajtuar. Nuk e kuptoj dot që policët që më shoqëruan ishin si makina me kurdisje. Edhe kur i flisja: Kujdes se më theve krahun nuk reagonte fare ma shtrëngonin krahun më shumë”, shprehet Seranaj.

Ai tha se kur janë futur në komisariat janë dhunuar ndërsa miku i tij është qëlluar në fytyrë. Seranaj theksoi se Rama largoi Lleshajn pasi kjo nuk ka ndonjë ndikim në planet e tij, ndërsa e cilësoi Ardi Veliun një drejtor policie, politik.

“Përveç se na futën me dhunë, në komisariat ndodhi ajo që kisha imagjinuar dhe pa asnjë shkak mikun tim Donaldit i thanë ulu.  Sa mori një pozicion të favorshëm për t’u goditur e kanë goditur në fytyrë. Në atë moment edhe polici që më kishte shoqëruar me qëllon dhe mua me një dackë në fytyrë. Përveçse të rrahin, të thonë edhe mbyll gojën. Erdhi përfaqësuesi i avokatit të Popullit por gjithçka kishte mbaruar. Ne përherë qetë kemi protestuar.

Kemi treguar qëndresë por nuk kemi sulmuar kurrë. Kemi treguar qëndresë kur u hoqën shkronjat dhe në 24 korrik kur ndaluam nxjerrjen e rekuizitave. Unë mendoj se Ramës i interesonte largimi i Lleshajt por jo largimi i Ardi Veliut. Ai është më politik se Lleshaj dhe se ministri i ri që ka ka ardhur tani. Jemi duke u marrë me ngjarjen dhe kjo do të jetë edhe pjesë e kësaj. Do t’i drejtohemi që nëse do të tregosh integritet, atëherë duhet të shkarkosh Ardi Veliun”, u shpreh ai./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!