“Ku çedon puna e Bankers Petrolium”, inxhinieri: Po favorizohet importi i naftës, shteti të reagojë

schedule21:23 - 25 Maj, 2021

schedule 21:23 - 25 Maj, 2021

Emisioni VETTING

Keqmenaxhimi i shtetit shqiptar, i ka dhënë goditje të rënda një prej sektorëve që mund të fortifikonte ekonominë, nisur nga fakti se zona e naftës Patos-Marinëz-Kolonjë, është fusha më e madhe naftëmbajtëse në Europën Kontinentale. 870 naftëtarët që kanë përfituar dyzet mijë lekë shtesë prej nëntorit të vitit 2020 e deri në tetor të vitit 2021, numërojnë 5 muajt e mbetur.

Urdhri i përmbaruesit për vënien e sekuestros konservative i tetorit te viti 2019, pavarësisht se kërkonte ekzekutim të detyrueshëm, nuk është zbatuar e nuk i njeh si bashkëpronarë të aseteve uzinës. Me dekada punë mbi supe, mund t’i shërbenin ekonomisë së Ballshit, por lihen rezervë në qoshkun e papunësisë. Me shumë gjasa me këtë valë shpërfillje e diskriminimi, në një të ardhme, edhe specialistët e industrisë së naftës do t’i lypim në dyert e fqinjëve…

Çdo pronar a qiramarrës që ka ardhur pas privatizimit, pas deklarimeve të njëpasnjëshme të humbjeve e borxheve në të cilat liheshin peng asetet e Kombinatit, në prag të falimentimit e ka drejtuar fajin tek Bankers Petroleum a Albpetrol, si furnitorët kyç. Shpesh nga kompanitë importuese është vënë në diskutim edhe cilësia e naftës së përpunuar në Uzinën e Ballshit, por inxhinieri tregon se ndërhyrjet e 2009-ës në uzinë kanë bërë të mundur që të përpunohet naftë e standarteve europiane dhe konkurruese.

“Pengmarrja” e uzinës së Ballshit, po rëndon buxhetin e punonjësve por edhe të shtetit, ndërsa konkurrenca ka një pengesë më pak në treg. Sot prodhuesi më i madh i naftës në vend, me afro 90 përqind të prodhimit të përgjithshëm vendas është Bankers Petroleum, pronare e së cilës është kompania kineze Geo Jade. Ndërsa kompanisë Shtetërore Albpetrol, prej totalit të plotë para privatizimit, tanimë i mbeten vetëm 6 përqind të prodhimit vendas.

Nafta në Shqipëri, si një nga thesaret më të mëdha në Europë, mund të krijojë ende mundësi të mira punësimi dhe rritje të ekonomisë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në vend ka rreth 400 milionë tonë naftë të pashfrytëzuara. Periudha më e artë shënohet në vitin 1974, kur Shqipëria prodhoi 2.25 milionë fuçi nafte në vit. Në sektor, asokohe ishin të punësuar afro 25 mijë persona, ndërsa sot numërohen më pak se 3 mijë. Kjo është dekada më kritike veçanërisht sa i përket sektorit të përpunimit dhe punonjësve të saj.

Në vitin 2019, Shqipëria prodhoi më shumë se 1 milion fuçi nafte ku mbi 600 mijë tonë naftë u eksportuan. Sipas ekspertëve të ATLAX, pas problematikave të privatizimit, pjesa më e madhe e naftës së nxjerrë në Shqipëri eksportohet e papërpunuar, duke e bërë atë një produkt me vlerë të shtuar të ulët. Ndërkaq, siç ata theksojnë më tej në raportet e tyre, qeveria shqiptare merr nga eksporti vetëm rentën si taksë kombëtare me normën 10 përqind, pasi asnjë kompani aktualisht nuk paguan normën e tatimit mbi fitimin. Ekspertët thonë se Shqipëria ka përfituar deri më tani më pak se 2 për qind të vlerës së prodhimit. Pra, përtej propagandës së kompanive të mëdha e të suksesshme të prodhimit të naftës, që ndihmojnë në lulëzimin e vendit, mbeten për t’u bërë llogaritë defiçite në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

Alarmi për këtë fakt do të jepej që 4 vite më parë kur Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e vitit 2017 “Proçedurat dhe Rezultatet e Marrëveshjeve të Naftës në Shqipëri”, vë në dukje se ndikimi në ekonomi prej shfrytëzimit të aseteve nëntokësore ka qenë minimal, si në aspektin e efektit mbi punësimin ashtu dhe në të ardhurat buxhetore. Në këtë raport kërkohet më tej vëmendja e organeve kompetente për marrëveshjen më të madhe në sektor, të nënshkruar me Bankers Petlorium, ku ndryshe nga sa ishte planifikuar në 2009-ën, që nga pala shqiptare të përfitohej 50% e fitimit si dhe 3% e prodhimit gjithsej, përfitimet e shtetit shqiptar preknin vetëm në 1% të prodhimit, në 10 % të rentës minerare.

Në një situatë të tillë, Ministria e Financave dhe ajo e Energjitikës vijojnë të raportojnë shifrat e lavdishme të naftës së papërpunuar. Si shtesa prej 39 mijë tonë naftë e eksportimit në vitin 2019, krahasuar me 2018-ën kur nxirrej jashtë 556 mijë tonë. 1 miliard lekë të ardhura nga renta minerare e naftës bruto që ministria e fianancave deklaron vetëm për periudhën janar-shator 2020, do të ishin sipas ekspertëve një tjetër nxitës i mirë për një investim afatgjatë në rafinerinë e përpunimit të Ballshit.

…….

Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albania Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!