Kthyen disa gota, kush i gjeti të vdekur? Detaje të reja nga tragjedia e familjes ruse në Kavajë

schedule09:00 - 16 Tetor, 2021

schedule 09:00 - 16 Tetor, 2021

“ABC” zbulon detaje të reja nga tragjedia e turistëve rusë në Qerret të Kavajës.

Gazetari Leonidha Musai raporton se viktimat janë pjesë e një familje. Bëhet fjalë për prindërit, vajzën dhe dhëndrin që kishin ardhur për pushime në Shqipëri.

Viktimat janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.

Po sipas burimeve të “ABC”, turistët rusë pasi kishin kthyer disa gota ishin futur në sauna duke qëndruar rreth 70-80 minuta.

Ka qenë recepsionisti i hotelit që i ka gjetur trupat e pajetë të katër turistëve rusë, ndërsa ka njoftuar menjëherë policinë.

Burime nga Prokuroria e Kavajës thonë se hetimet po kryhen në dy drejtime për rastin.

Instituti i Mjekësisë Ligjore po kryen ekspertizën e trupave të pajetë për të zbardhur shkakun.

Paralelisht po zhvillohet edhe ekspertiza për analizat bakteriologjike të ambienteve të saunës së hotelit.

Dyshohet se turistët kanë humbur jetën për shkak të temperaturës së lartë, e cila ul tensionin dhe si pasojë edhe sasinë e oksigjenit në gjak.

Për shkak të qëndrimit të gjatë nuk kanë mbijetuar./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!