Afganistani mund të mos jetë pjesë e Lindjes së Mesme, por fati i tij gjeopolitik ka qenë prej dekadash i lidhur pazgjidhshmërisht me atë të rajonit pranë.
Në vitin 2001, rënia e talebanëve ishte arritja e parë e madhe në të ashtuquajturën “luftë kundër terrorit” të Amerikës që transformoi përfundimisht si vendin ashtu edhe Lindjen e Mesme. “Njëzet vjet më vonë, rikthimi i grupit në pushtet në Kabul e ka futur rajonin, ende duke vuajtur nga dëmtimet e papërshkrueshme të asaj lufte, në ujëra të panjohura” shkruan CNN.
“Nëse pushtimi amerikan i Afganistanit nxiti ndërhyrjen e shtuar amerikane në Lindjen e Mesme, atëherë dalja e tij nga vendi gjithashtu sinjalizon një tërheqje të përshpejtuar nga një rajon që ka shërbyer prej kohësh si një qendër gravitacionale e tensionit politik” vijon më tej artikulli.
Skenat dramatike nga Afganistani kanë lëshuar kambanat e alarmit në të gjithë Lindjen e Mesme, duke ngritur skenarin e një prishjeje të nxituar të një rendi ekonomik dhe politik.
Një valë e aktiviteteve diplomatike dhe ushtarake i parapriu tërheqjes nga Afganistani. Një vit më parë, një valë marrëveshjesh normalizimi midis disa vendeve arabe dhe Izraelit e shtynë Presidentin e atëhershëm Donald Trump të thoshte “Ne nuk kemi pse të jemi më atje“.
Presidenti Joe Biden ka vazhduar atë rrugë. Të martën, Presidenti amerikan mbrojti fuqishëm tërheqjen dhe skenat e fundit kaotike në Kabul, duke shtuar se epoka e pushtimit të vendeve me synimet për të instaluar vlerat amerikane nuk ishte më e zbatueshme. Ai argumentoi se SHBA sinjalizoi “përfundimin e një epoke të operacioneve të mëdha ushtarake për të rindërtuar vendet e tjera“. Shtetet do të duhet të kujdesen për veten e tyre. Për Lindjen e Mesme, kjo ndryshon gjithçka.
“Tërheqja e nxituar e SHBA nga Afganistani, kthimi i fortë i talebanëve në kryeqytetin afgan dhe përshkallëzimi i kërcënimit iranian tregon se ekuacioni i sigurisë së Gjirit do të jetë shumë i ndryshëm këtë shekull në krahasim me të kaluarën” shkroi analisti politik i Emirateve të Bashkuara Arabe Abdulkhaleq Abdulla në një artikull për gazetën “The National”.
“Gjiri është në prag të transformimeve të mëdha të sigurisë dhe ushtrisë, ndoshta më i madhi që nga viti 1971, kur SHBA mori përgjegjësinë për sigurinë dhe e ktheu atë në “Amerikan” në një kuptim strategjik” shkroi ai duke vijuar “Mund të mos jetë njësoj gjatë pesë dekadave të ardhshme” tha ai. /db/Abcnews.al