Mungesa e tij qenka për fare pak kohë. Shqetësimi ishte i madh nëse Mirlind Daku do të kthehej në fushë në një kohë-rekord, apo do të vononte, por dëmtimin e tij më shumë e vuajti kombëtarja shqiptare.
Sulmuesi kuqezi do të kthehet në ekipin e tij, Rubin, që në ndeshjen e radhës, që do të luhet këtë të diel e vlefshme për Premier Ligën ruse.
Flitet për provën më të vështirë, atë që skuadra tartare do ta ketë në fushën e kampiones në fuqi, në Shën Peterburg kundër Zenitit.
Babai I tij, Feimi, deklaron për mediat ruse se djali I tij ndihet mirë fizikisht, se do të jetë në Rusi deri të martën ose të mërkurën, dhe se do të nisë stërvitjen me ritëm të plotë.
Kjo do të thotë se Daku do të ketë vetëm një ndeshje e gjysmë mungesë për Rubinin, pasi luajti një pjesë loje në humbjen 0-1 në Kupën e Rusisë në fushën e Uralit në 12 mars, dhe mungoi në takimin e fituar 1-0 në kampionat ndaj Nizhni Novgorodit në 16 mars.
Fatkeqësisht, ai nuk ishte në dy duelet e Shqipërisë në nisje të eliminatoreve të Kupës së Botës, për sfidën e humbur 0-2 në fushën e Anglisë të premten, dhe për duelin ndaj Andorrës në Tiranë këtë të hënë.
Daku është lojtari më I mirë I Rubinit me 11 gola e 6 asistë në 19 ndeshje në kampionat, dhe njëri nga 3 shënuesit më të mirë të Premier Ligës ruse./abcnews.al