Kthimi ekspres i Brojës/ Sulmuesi papritur nis stërvitjen me ekipin e parë

schedule13:50 - 1 Mars, 2025

schedule 13:50 - 1 Mars, 2025

U quajt një lajm “bombë”.

Askush nuk e priste që në kampingun stërvitor të Evertonit në Emiratet e Bashkuara Arabe të dilte Armando Broja.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare sfidoi çdo pritshmëri, çdo parashikim, duke marrë pjesë në seancën e skuadrës së parë, ndonëse ishte fjala për një ngarkesë të lehtë.

Ylli kuqezi nuk ishte pjesë e ushtrimeve të vështira fizike, me sforcim e ndryshim drejtimi, me goditje të topit, apo me aksione kolektive e para portës.

Do të ketë kohë për këtë.

Vetë klubi e njoftoi pjesëmarrjen e Brojës në stërvitje, ndërsa nga fotot e botuara në rrjetet sociale dolën komentet se shqiptari kishte punuar shumë në palestër këto kohë dhe kishte shtuar masë muskulore.

Besohet se kjo do ta ndihmojë që të dëmtohet më pak në të ardhmen.

Ende nuk dihet saktë se kur mundet 23-vjeçari të kthehet në fushë, ndonëse flitet për datën 8 mars.

Kjo do të ishte shkëlqyeshëm sepse mund ta ndihmonte të grumbullohej në kombëtare për ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës në 21 mars në “Uembli” të Londrës dhe në 24 në Tiranë ndaj Andorrës.

Ylli i lindur pikërisht në Angli, do të donte pafund që të luante ndaj shpikësve të futbollit, diçka që nuk e bëri dot herën e kaluar, i lënë në tribunë nga Edi Reja.

Broja u dëmtua në 10 janar, në ndeshjen e Kupës kundër Peterborout, dhe ka humbur 10 ndeshje deri tani, në 58 ditë jashtë fushave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!