Ky sezon ka qenë i pafat për Lucas Biglia. Dëmtimet muskulore dhe problemet në gju, ia kanë komplikuar situatën dhe vetëm shtatë herë ka zbritur në fushë me Milanin. 34-vjeçari del lojtar i lirë në fund të këtij sezoni dhe mund të kthehet në vendlindje.
Argjentinasi ka zbuluar problemin e kuqezinjve në një prononcim për Tanto por Decir. Milani do të rikthehet në nivele të larta sipas tij, por ka nevojë për kohë. Familja i mungon, karriera e trajnerit e tundon, teksa te dy lojtarët më të mirë në botë nuk bën pjesë Cristiano Ronaldo.
“Po vlerësoj të ardhmen time dhe nuk e përjashtoj rikthimin në Argjentinë. Që prej momentit që kam ardhur këtu, klubi ka ndërruar dy herë pronësi. Milani do të kthehet në momentin që të ketë stabilitet në organizimin e klubit.
Do të jetë një nga fuqitë evropiane si më parë, por nevojitet kohë. Dua të filloj kursin e trajnerit, kam dëshirë t’i përkushtohem familjes pasi të mbyll karrierën si futbollist. Më pas mund t’i kthehem sërish botës së futbollit.
Koha e kaluar në karantinë më ka ndihmuar të kuptoj se çfarë më nevojitet. Futbollisti më i mirë? Leo Messi, pas tij vjen menjëherë Zlatan Ibrahimovic“, deklaron mesfushori latin. /abcnews.al