Kryqëzohet prokurori i pasur, por anash dhe jo në mes si Krishti

schedule15:59 - 1 Maj, 2022

schedule 15:59 - 1 Maj, 2022

Nga Lorenc Vangjeli

Prokurori i Durrësit Arjan Ndoja ndoshta e ka humbur betejën me logjikën edhe përpara se Vetting-u të përcaktojë shumë më shumë se fatin e tij në sistemin e drejtësisë.

Ideja që ai kishte lënë minierën e arit me rreth 250 mijë euro të ardhura në vit, të ardhurat nga zyra e avokatit, për ta shkëmbyer me mantelin e magjistratit, nuk bind as atë vetë. Apartamente pafund, që e bëjnë të duket si pronar hoteli, toka e pyje të dhuruara, që e bëjnë atë të duket si latifondist, janë argumentet që logjika i ka ngritur tashmë si kurth në të cilin ai vetë ka rënë brenda dhe shumë thellë.

“Miqësitë” e tij të supozuara me personazhe të errët nga bota edhe me e errët e krimit, janë thjesht bashkim i “dënimeve” dhe faulleve të shumëfishtë që ai ka në kriterin pasuror të vlerësimit dhe figurën morale.

Në rolin e prokurorit akuzator ndaj prokurorit “të pandehur” Ndoja, ai vetë do ta kishte ndëshkuar pa asnjë ngurrim magjistratin latifondist. Fati i mbarë që e ndihmoi në një atentat fatkeq në nëntorin e 2019-ës, tashmë e ka braktisur pakthim. Madje as “sevapet” që ai pretendon se ka bërë i shtyrë nga besimi i tij fetar, duke dhuruar prona të tijat, nuk do t’i hyjnë fare në punë.

Në mos do t’i kthehen në të kundërt kur të shihet se kur, kujt dhe pse ka bërë bamirësi të tilla duke ndarë atë që ke me atë që nuk ka.
Përfaqësuesi kontravers i ONM-së, Theo Jacobs, një personazh që është sjellë shpesh si kamzhik mbi mëkatarët e shumtë të drejtësisë, me të gjitha gjasat ka pasur procesin e tij më të lehtë për të bindur publikun se Ndoja ka humbur besimin e qytetarëve dhe se duhet të zhvishet nga statusi i magjistratit. E vërteta elementare që ai shprehu ndër të tjera, që tre çerek milionë euro në tre vjet, nuk do të mund t’i siguronte as një avokat evropian, ishte vetëm një gozhdë më shumë në një kryq që e ka mbërthyer subjektin e tij. Si një nga ata të dy anash në mal, që shoqëruan Jezuin në ditën e tmerrit.

Pjesa tjetër është histori edhe pa ndodhur ende. Por kaq është vetëm shikimi sipërfaqësor i asaj çfarë ka ndodhur në një proces shpesh të akuzuar për standarte të shumëfishta në sjellje me subjektet.

Prokurori Ndoja ka aluduar në proces se sjellja ndaj tij është e frymëzuar nga dy personazhe të fuqishëm politikë të maxhorancës. Njëri që vazhdon të jetë kryeministër i vendit dhe tjetri që ka kohë që nuk është më zëvendësi i tij.

Edi Rama dhe Erion Braçe kanë bërë komente të papërshtatshme për përfaqësues të ekzekutivit ndaj prokurorit Ndoja në majin e vitit 2019. Braçe, madje, e ka ndjekur deri në sallën e gjyqit dhe ka folur për shkelje të kushtetutës të kryer nga prokurori në një proces ndaj një zyrtari lokal.

Vetëm gjashtë muaj më pas, në nëntor 2019 Ndoja i shpëtoi një atentati në autostradën Tiranë-Durrës, që pavarësisht se nuk kishte asnjë lidhje me deklarimet politike kundër tij, pavarësisht se e dëshmoi atë se ishte në vendin e gabuar, shoqërohej me njerëz të gabuar dhe se ishte qëlluar me armë për arsye që nuk kishin të bënin as me politikën dhe as me profesionin e tij, pra, pavarësisht të gjithave, shija e lënë ishte tmerrësisht e hidhur.

Jacobs nuk reagoi për pretendimet dhe aludimet e Ndojës, por një avokat evropian mund të fitonte shumë para nga prokurori i pasur shqiptar, duke e mbrojtur atë me parimin e shkelur të ndarjes së pushteteve. Një parim që është tabu’ në Evropën që Shqipëria e kërkon dëshpërimisht ta takojë, por duke u sjellë keq nën impulset e forta të mendësisë sovjetike të shumë personazheve të saj.

Ka gjithmonë një kohë për pendesë, por tani as Perëndia nuk ka çfarë bën ndryshe për fatin e nesërm e prokurorit, i cili së paku mund të ngushëllohet se së paku, një nga “kundërshtarët” e tij politikë, Erion Braçja, la pas një karrige të përmbysur kur e larguan nga zyra e zëvendësit të zhurmshëm të Edi Ramës.

Poshtë shkrimi botuar në maj 2019, javanews.al

Dikush duhet t’ja tregojë Erionit: nuk ka më “Braccio di Ferro” me drejtësinë
05/10/2019 12:00

Lorenc Vangjeli

Një mënyrë shumë e dobishme për të zbuluar absurdin është që të çosh vetë absurdin në ekstrem. Ja dy shembuj: një prokuror flet publikisht kundër vendimeve të qeverisë, kundër antarëve të saj apo edhe zyrtarëve të çdo niveli sepse në një moment të caktuar ai mendon ndryshe prej tyre;

Një gjykatës flet publikisht për parlamentin, për natyrën dhe cilësinë e procesit ligjvënës apo dhe për deputetë të veçantë dhe thotë se ata kanë bërë shkelje të rënda kushtetuese.

Edhe i pari, edhe i dyti paralajmëron se di shumë gjëra të tjera për ta dhe se nuk do ta lerë këtë punë me kaq.

Në Tiranë këto skena nuk kanë ndodhur kurrë dhe ka tmerrësisht pak gjasa të ndodhin ndonjëherë sepse pushteti i traditës është shumë i fortë. Nuk do të sjellë ndonjë ndryshim edhe fakti që deri dje, njerëzit e sistemit të drejtësisë – pushteti i tretë kushtetues në vend – zgjidheshin nga politika, ndërsa sot, atyre ju kushtëzohet karriera nga faktorë brenda vetë sistemit. Njëlloj si vesi edhe frika del me shpirtin. Gjykatës dhe prokurorë do të vazhdojnë të tremben nga njerëzit e politikës pavarësisht se pikërisht ata duhet të jenë “klientët” e tyre të mundshëm, për mëkate të mundshme.

E kundërta ka ndodhur shpesh. Shpërthimi më pak se epik dhe më shumë se histerik i historisë së vjetër të ish-kryeministrit me ish-prokurorin e përgjithshëm, nuk ka ndodhur më larg se dje. Nga muri i Kishës Katolike, ditën e Krishtlindjeve, Berisha kryqëzoi kryeprokurorin në një mënyrë të frikshme. Çka u pasua nga një tjetër betejë me ish-prokuroren e përgjithshme, një akt që do të vazhdojë ta turpërojë gjithmonë jetëshkrimin e Berishës si politikan dhe Doktorit si burrë.

Të premten, si për të vërtetuar se skajet takohen, një personazh i rëndësishëm i politikës, një kundërshtar i jashtëzakonshëm dhe i paepur i Berishës, kopjoi anën më të keqe të tij. Erion Braçe, zëvendëskryeministër, mori pjesë në një seancë gjyqësore ndaj një zyrtari lokal në Durrës dhe mbas procesit, bën një deklaratë që do të bënte më mirë ta harronte sesa ta shpjegonte. Sulmoi prokurorin për shantazh ndaj të pandehurit, paralajmëroi bashkëpunim të tij me gjykatësen dhe ju kërkoi të dyve ta provojnë një gjë të tillë edhe në apel. Braçe pohon edhe se në proces pati shkelje të rënda kushtetuese, një fjalë e madhe, por e pavend nëse i referohet thjesht vetëm procedurës së ndjekur.

Që personi nën akuzë për korrupsion është tërësisht i pafajshëm deri sa gjykata të vendosë të kundërtën me formë të prerë, këtë të drejtë ja jep vetë Kushtetuta dhe nuk ka pikën e nevojës ta komentojë Braçe.

Qe prokurori i çështjes mund të fshehë më shumë skelete në dollap dhe më shumë zero në shifrat nën dyshekun e tij, edhe sesa mendon Braçja, edhe kjo është e mundur.

Por kjo është një çështje tjetër që nuk e vlerëson dot as ai zëvendëskryeministër dhe as eprori i tij kryeministër. Qoftë Rama, qoftë Braçe dhe përtej tyre edhe Luli e Monika, edhe Iliri e Doktori, e kanë mbaruar këtë hesap me pushtetin e drejtësisë që në korrikun e 2016-ës kur votuan për reformën në drejtësi. Dhe nuk kanë asnjë shans t’i kërkojnë hesap apo t’i tundin gishtin me kërcënim këtij pushteti. Vetting-u është shkopi që godet dhe me shumë gjasa, në rastin e prokurorit të Durrësit nuk do të ketë surprizë se çfarë valleje do të heqë ai shkop .

Që edhe gjykatësit, edhe prokurorët, edhe vetë sistemi shqiptar i drejtësisë, pavarësisht se shohin nga Perëndimi, janë totalisht nën mentalitet sovjetik, ky nuk është opinion, por fakt. Arresti me burg është një masë ekstreme, por që e përdorin për të qenë brenda në formë edhe prokurorët që e kërkojnë, edhe gjykatësit që e vendosin. Kjo është sfida e vërtetë që vazhdon të kërcënojë shoqërinë shqiptare që sheh nga Perëndimi, por sillet marrëzisht si në ish-Lindjen komuniste. Mund të ndryshojnë ligjet, mund të përkëmbehen njerëzit që i bëjnë ato, por mentaliteti është si vesi, rri brenda edhe mbasi fluturon shpirti.

Që Erion Braçja është një nga politikanët seriozë të vendit, polemist kolerik, nga të rrallët që nuk ka probleme me të shkuarën e tij dhe që nuk ka shans të jetë klient i SPAK-ut në të ardhmen, ky sërisht është një fakt dhe jo një opinion. Siç është fakt që entuziazmi dhe grinta në punë të ndahen vetëm në nuanca nga arroganca dhe shpërdorimi i pushtetit, si një mjet që përdoret dhe për shantazh publik. Qoftë njëra anë e medaljes, qoftë tjetra, është si diareja: është mirë të mos e ndalosh ca ditë, por është keq nëse lejon të zgjatet.

Ndaj në të gjithë këtë histori me pushtete të ndarë nga Kushtetuta që teorikisht duhet të kontrollojnë dhe balancojnë njëri-tjetri, por që praktikisht ndeshen si çuna lagjeje: “ec se ta regoj unë qejfin nga lagja ime”, gjenden të gjithë elementët e mundshëm për të turpëruar të gjithë protagonistët dhe jo nga pak. Sepse me drejtësinë nuk mund të bëhet më Braccio di Ferro. Dikush duhet t’ja thotë Erionit një gjë të tillë, meqë ai vetë nuk mund t’ja thotë Edi Ramës: është tmerr të sillesh si Saliu që e kanë mallkuar gjithmonë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!