Kryetari i ri i CDU-së do të zgjidhet në janar

schedule08:05 - 3 Nëntor, 2021

schedule 08:05 - 3 Nëntor, 2021

CDU ka vendosur hapat për të zgjedhur një kryetar të ri. 400.000 anëtarët e partisë do të votojnë nga fillimi deri në mes të dhjetorit. Fituesi do të caktohet në një kongres partie në fund të janarit.

CDU-ja dëshiron ta caktojë kryetarin e saj të ri me anë të një sondazhi të anëtarëve. Kryetari i ri do të zgjidhet zyrtarisht në një kongres federal të partisë në fund të janarit. Kryesia Federale e partisë e miratoi njëzëri këtë procedurë, tha kreu i partisë Armin Laschet.

Kongresi i partisë do të mbahet më 21 dhe 22 janar 2022 në Hanover. Do të jetë hera e parë në historinë e saj që CDU do ta bëjë zgjedhjen e kryetarit federal të varur nga një referendum anëtarësh. Një konferencë e delegatëve të qarqeve të shtunën e kaluar kërkoi me shumicë të madhe pikërisht këtë.

Zgjedhja nga baza jo e detyrueshme

Sipas kalendarit të kryesisë së CDU-së, 400 mijë anëtarët do të informohen për zgjedhjet për kryesinë e partisë me letër nga 15 nëntori e në vazhdim. Fletët e votimit do të dërgohen në fillim të dhjetorit dhe votimi mund të fillojë më 3-4 dhjetor. Numërimi dhe shpallja e rezultateve është planifikuar për 17 dhjetor.

Megjithatë, statutet e partisë nuk parashikojnë një zgjedhje të detyrueshme të kryetarit të partisë nga baza. Prandaj, fituesi i sondazhit të anëtarëve duhet të zgjidhet zyrtarisht në detyrë nga delegatët në kongresin federal të partisë. “Me këtë procedurë, ne mund të shkojmë me besim në zgjedhjet e landeve federale vitin e ardhshëm,” tha kreu i partisë Laschet. Megjithatë, tha ai, ky hap është unikal dhe statuti nuk duhet të ndryshohet.

Liderët e degëve në lande kërkojnë veprime të shpejta

Riorganizimi i partisë do të zgjasë në këtë mënyrë më shumë sesa do të donin shumë anëtarë të partisë. Para takimit, disa politikanë të CDU-së kishin shprehur dëshirën që çështja e lidershipit të zgjidhej para fundit të vitit. Megjithatë, sipas qendrës së partisë, koha për këtë nuk mjafton.

Kryeministri i landit federal të Zarës, Tobias Hans, i cili duhet të përballet që në mars me zgjedhjet e landit, tha para takimit se një kongres federal i partisë jo më herët se viti i ardhshëm do të ishte “shumë i vonuar”. Prandaj kongresi i partisë duhet të mbahet këtë vit. Kjo është ambicioze, tha ai, por e realizueshme.

“Shqetësimi im është që të marrim vendime të shpejta, në mënyrë që të kemi shpejt qartësi,” tha kryeministri i landit të Rinit Verior-Vestfalisë, Hendrik Wüst. Në landin e Rinit Verior-Vestfalisë do të zgjidhet në në maj një parlament i ri. Kryetari i CDU-së për Hamburgun, Christoph Ploß deklaroi se më e mira do të ishte që çështja “se kush do të jetë kryetari i ri të zgjidhet deri në Krishtlindje”./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!