Agjencia e lajmeve Reuters ka intervistuar Lulzim Hetemin, kryetarin shqiptar të Komunës së Leposaviqit në veri të Kosovës që u zgjodh të merrte detyrën me vetëm 100 vota.
Që prej muajit Maj Lulzim Hetemi është ngujuar në ndërtesën e komunës për shkak se serbët që përbëjnë 97% të popullsisë së Leposaviqit refuzojnë ta njohin atë si kryetarin e tyre.
Hetemi, i cili më parë ishte një bletërritës ka vendosur një shtrat në dhomë ngjitur me zyrën e tij në komunë dhe thotë se nuk largohet as në fundjavë, pasi askush nuk i siguron se do të kthehet sërish në zyrën e tij të hënën.
Lulzim Hetemi thotë se ai e di mjaft mirë që në këtë mënyrë ai është i përkohshëm dhe se do të largohet nga zyra ditën kur serbët të zgjedhin një kryetar të ri që do të pranojë të punojë për shtetin e Kosovës.
Janë më shumë se 50 mijë shtetas serbë etnik që jetojnë dhe përbëjnë pjesën kryesore të 4 komunave në veri të Kosovës të cilët shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre.
Partitë serbe në veri braktisën zgjedhjet e muajit prill dhe ky vendim solli më pas që në 4 komunat e veriut të zgjidheshin kryetar shqiptar me më pak se 3% të votuesve që iu drejtuan kutive të votimit.
Vendosja e këtyre kryetarëve në ndërtesat e komunave solli zemërimin e qytetarëve serb dhe reagimin e ndërkombëtarëve që kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja./abcnews.al