Kryetari i Komunës në Kosovë dënohet me një vit burg për konflikt interesi

schedule16:45 - 14 Qershor, 2021

schedule 16:45 - 14 Qershor, 2021

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, është dënuar me një vit burgim efektiv, raportojnë mediat në Kosovë.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur më 26 mars të vitit 2018 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Rugova akuzohej për konflikt interesi pasi duke vepruar si kryetar i komunës ka nënshkruar një kontratë me një firmë të cilën e drejtonte vëllai i tij, Gani Rugova, raporton Betimi në Drejtësi.

“Në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes të Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. dhe çmimi i kontratës ka qenë 289,119.85 euro”, thuhej në aktakuzë.

Kontrata kishte të bënte me ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Besnik Berisha, avokat mbrojtjes i të akuzuarit, ka argumentuar se bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, për kontratat e mesme nuk ishte e nevojshme nënshkrimi i kryetarit, e që sipas tij kjo kontratë ka qenë e tillë, raporton Kallxo.com.

Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!