Kryeprokurori maqedonas kërkon dënime të rrepta për armëmbajtje pa leje

schedule17:53 - 8 Maj, 2023

schedule 17:53 - 8 Maj, 2023

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut të hënën ka kërkuar nga të gjitha prokuroritë publike themelore të jenë të ashpra në masat për sanksionimin e personave që mbajnë dhe përdorin armë pa leje dhe lëndë shpërthyese.

Njoftimi i Prokurorisë vjen pas vrasjes së tetë personave afër Beogradit nga një i dyshuar me inicialet U.B, 21 vjeç, më 5 mars, por edhe një rasti tjetër, më 3 mars në Vraçar, ku një nxënës 13 vjeç vrau tetë nxënës të tjerë.

“Kërkoj nga të gjitha prokurorët publikë në Maqedoninë e Veriut që të insistojnë në sanksione më të rrepta penale për veprën penale – Prodhim, mbajtja dhe tregtim pa leje i armëve apo lëndëve shpërthyese”, thuhet në njoftimin me shkrim të kryeprokurorit maqedonas, Lubomir Joveski.

“Shtrëngimi i politikës penale duhet të reflektohet në veprimet e prokurorive publike themelore, të cilat duhet të sigurojnë që masa e sanksionit për krime të tilla të jetë brenda kufijve të përcaktuar ligjërisht pa mundësinë e masës alternative”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme qytetarët e Maqedonisë Veriut posedojnë rreth 180,000 armë me leje, kure numri i armëve ilegale vlerësohet të jetë dy herë më i lartë.

Sipas statistikave të kësaj ministrie, interesimi për marrjen e lejeve të armëve është në rritje. Nëse dy vite më parë jepeshin mesatarisht 15 leje çdo ditë dhe vitin e kaluar 16, këtë vit numri është rritur në 17 leje.

Sipas kodit penal të Maqedonisë së Veriut për armëmbajtje pa leje parashihet dënim prej 1 deri dy vjet burg ndërsa në rast se armë pa leje mban një zyrtarë shtetëror atëherë dënimi sillet prej 1 deri 5 vjet burg.

Ndërsa, në rast se me armën pa leje kryhet vrasje, atëherë autori përveç për veprën penale dënohet edhe për përdorimin e armës pa leje mbi 5 vjet burg.

Prokurori Publik i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Jovevski ka kërkuar nga prokuroritë e larta që të reagojnë me kërkesën për dënime me të larta nëse instancat e shkallës së parë vendosin dënime të ulëta.

“Prokuroritë më të larta publike, në rastet e sanksionit të caktuar të butë me aktgjykimet e shkallës së parë, duhet të përpiqen që përmes procedurave të shkallës së dytë të marrin dënime më të larta”, thuhet në mesazhin e Joveski drejtuar prokurorëve.

“Duke pasur parasysh pasojat e mëdha të dëmshme që mund të shkaktohen nga mbajtja pa leje e armëve, nuk duhet të ketë zbutje të sanksioneve për autorët e krimeve të tilla. Arma është mjet për kryerjen e shumë krimeve të tjera dhe nuk guxon të tolerohet përdorimi i saj jashtë kornizës ligjore”.

Ai ka thënë se “tragjeditë me të cilat po ballafaqohet shoqëria serbe janë alarm për institucionet e zbatimit të ligjit që të mobilizohemi për kontroll sa më efektiv të armëve edhe në Maqedoninë e Veriut”./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!