Dy ditët e fundit, Zef Mazi, kryenegociator i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në zhvilloi një vizitë pune në Slloveni.
Gjatë qëndrimit në Ljubjanë, Kryenegociatori Mazi kreu disa takime pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme me Sekretarin e Shtetit, z. Gašper Dovžan, dhe ish-Kryenegociatorin slloven, z. Andrej Engelman.
Kryenegociatori Mazi zhvilloi edhe një seancë dëgjese me një delegacion të përbashkët të Komitetit për Politikën e Jashtme dhe Komitetin e Çeshtjeve te BE-së të Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, kryesuar nga kryetarët e tyre, znj. Monika Gregorčič dhe z. Marko Pogačnik.
Me Sekretarin e Shtetit Dovžan u shkëmbyen mendime për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e BE-së. Kryenegociatori Mazi ndau me të progresin e bërë nga Shqipëria për plotësimin e prioriteteve përpara Konferencës së Parë Ndërqeveritare, si edhe stadin e përgatitjeve së brendshmi të administratës shqiptare për nisjen e zhvillimit të negociatave të anëtarësimit me BE.
Bashkëbiseduesit sllovene në njohën dhe mirëpritën zhvillimet shumë pozitive në përmbushjen e prioriteteve përpara KNQ së parë nga Shqipëria dhe konfirmuan mbështetjen sllovene, për bërjen të mundur të mbajtjes së KNQ-së së parë me Shqipërinë brenda 2020-ës.
Me palën sllovene u ra dakord të intensifikohen përpjekjet për rritjen e mbështetjes së tyre në kuadër të përgatitjes së administratës shqiptare për negociatat, përfshirë identifikimin e disa fushave specifike të bashkëpunimit brenda kapitujve.
Në takimin me deputetët e të gjithë spektrit politik të përfaqësuar në Asamblenë Kombëtare të Sllovenisë u shpreh mbështetja e tyre unanime për ecurinë e Shqipërisë në rrugën evropiane, miratimi me konsensus i kuadrit negociues për Shqipërinë dhe mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare menjëherë pas saj.
Në funksion të rritjes së bashkëpunimit ndërparlamentar dhe të rolit të parlamenteve kombëtare në diskutimet ndërqeveritare, Kryenegociatori Mazi u bëri një ftesë të hapur për të vizituar Shqipërinë. /abcnews.al/