Kryeministri suedez kërkon qetësi dhe reflektim pas djegies së Kuranit

schedule16:08 - 30 Qershor, 2023

schedule 16:08 - 30 Qershor, 2023

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, u distancua nga protesta e kësaj jave në të cilën një irakian me banim në Suedi dogji librin e shenjtë të myslimanëve Kuranin, jashtë një xhamie në Stokholm.

Djegia e Kuranit shkaktoi zemërim në pjesë të botës myslimane.

“Është e vështirë të thuash se cilat do të jenë pasojat. Mendoj se ka shumë njerëz që kanë arsye të reflektojnë”, tha Kristersson në një konferencë për media.

“Kjo është një pyetje serioze sigurie. Nuk ka nevojë të ofendohen njerëzit e tjerë”, tha Kristersson.

Të mërkurën, pasi iu dha leja nga policia suedeze për të protestuar, refugjati irakian Salwan Momika shkeli më këmbë një kopje të Kuranit dhe ndezi disa faqe jashtë xhamisë më të madhe të Stokholmit.

Incidenti i cili përkoi me fillimin e festës myslimane të Kurban Bajramit dhe përfundimin e pelegrinazhit vjetor në Mekë të Arabinë Saudite, shkaktoi protesta në Irak dhe gjetkë.
Kristersson bëri thirrje për qetësi dhe reflektim.

Policia suedeze i kishte dhënë Momikës, 37 vjeç, leje për të organizuar protestën e tij në përputhje me mbrojtjen e fjalës së lirë.

Ata më vonë thanë se kishin nisur një hetim për “agjitacion kundër një grupi etnik”, duke vënë në dukje se Momika kishte djegur faqe nga libri i shenjtë i myslimanëve.

“Unë mendoj se vetëm për shkak se disa gjëra janë të ligjshme, ato nuk janë domosdoshmërisht të përshtatshme”, tha Kristersson.

Në Irak, protestuesit të enjten u futën për pak kohë në rrethojat e ambasadës suedeze në Bagdad.

“Është sigurisht krejtësisht e papranueshme të kesh njerëz që hyjnë në mënyrë të paligjshme në ambasadat suedeze në vende të tjera”, tha Kristersson.

Autorizimi për demonstratën e Momikës erdhi dy javë pasi një gjykatë suedeze e apelit refuzoi një vendim të policisë për të mohuar lejet për dy protesta në Stokholm, të cilat do të përfshinin djegien e Kuranit.
Policia në atë kohë kishte përmendur shqetësimet e sigurisë, pas djegies së Kuranit jashtë ambasadës së Turqisë në janar, e cila çoi në protesta, thirrje për bojkot të mallrave suedeze dhe bllokoi më tej procesin e Suedisë për anëtarësim në NATO, proces ky që po bllokohet nga Turqia.

Pas djegies së Kuranit në janar, Turqia ndërpreu përkohësisht bisedimet e pranimit të Suedisë në NATO.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka dënuar djegien e fundit të Kuranit./RE;

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!