Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez pritet të vizitojë Kinën javën e ardhme, ku do të diskutojë luftën e Rusisë kundër Ukrainës me udhëheqësin kinez Xi Jinping gjatë një vizite shtetërore.
Sanchez tha se ai do të diskutojë tre tema me Xi:
-Përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe 50 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Madridit dhe Pekinit.
-Synimet e presidencës spanjolle të Bashkimit Europian në gjysmën e dytë të vitit 2023.
-Stabiliteti dhe paqja në Ukrainë.
Sanchez tha se ai do të disktuojë në mënyrë specifike planin e paqes, sipas kushteve të Kievit, dhe integritetit territorial të Ukrainës.
“Kjo do të thotë respektim i kartës së OKB-së për të drejtat e njeriut, në lidhje me integritetin territorial që po shkelet nga Rusia, në këtë rast në Ukrainë,” u tha ai gazetarëve ndërsa mbërriti për një takim të Këshillit Europian në Bruksel.
“Dhe logjikisht do të jenë vetë ukrainasit ata që do të krijojnë kushtet për fillimin e dialogut të paqes që logjikisht do të duhet të ndodhë.”
Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës tha të enjten se nuk kishte informacion për të dhënë në lidhje me këtë çështje.
Kryeministri spanjoll tha se ishte mirënjohës për ftesën e Presidentit Xi dhe iu referua Kinës si “një aktor global i rendit të parë”, duke shtuar se ishte e rëndësishme të dëgjohej këndvështrimi i Pekinit.
Pekini është përpjekur të pozicionohet si ndërmjetës i paqes në konflikt, pavarësisht marrëdhënieve të ngushta me Rusinë. Xi u largua nga Moska të mërkurën pasi u zotua të forcojë marrëdhëniete me presidentin Vladimir Putin gjatë një vizite shtetërore tre-ditore.
Bisedimet e tyre dështuan për të arritur një përparim në Ukrainë.
/abcnews.al