Në mospajtime e sipër lidhur me tregtinë për grurin, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki i ka shtuar kritikat ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me fjalimin e këtij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Dua t’i them presidentit Zelensky se ai nuk duhet t’i ofendojë më kurrë polakët, siç e ka bërë gjatë paraqitjes së tij në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Morawiecki, sipas agjencisë së lajmeve PAP.
Kjo retorikë e ashpër vjen teksa Polonia është vetëm disa javë larg zgjedhjeve parlamentare – të planifikuara për 15 tetor.
Komisioni Evropian ka marrë vendim së fundmi për të mos e vazhduar ndalesën ndaj importeve të grurit ukrainas, masë e zbatuar nga Polonia, Hungaria, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria.
Mirëpo, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria, kanë vendosur më pas që të vendosin vetë masa kufizuese, duke thënë se kanë nevojë t’i mbrojnë bujqit e tyre nga konkurrenca që rritet dukshëm prej importeve të Ukrainës.
Duke aluduar në këtë temë, Zelensky ka thënë në OKB, se është i alarmuar nga “teatri politik” për importet e grurit nga ana e vendeve aleate, të cilat po veprojnë në të mirë të Moskës.
Morawiecki ka thënë se prioritet i Evropës duhet të jetë në armatosjen e vetes dhe duhet të ofrojë ndihmë përmes transportimit të armëve në Ukrainë.
Ukraina është prodhuese e madhe e grurit, mirëpo ka probleme në eksportim të sasisë, pasi Rusia ia ka pamundësuar qasjen në portet e saj në Detin e Zi.
Lufta e Rusisë në Ukraine ka nisur që 19 muaj.
Për shkak të luftës, eksportet, që dikur janë transportuar prej porteve detare, tani janë bllokuar thuajse krejtësisht.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL