Kryeministri japonez dënon provat më të fundit të raketave nga Koreja e Veriut

schedule15:59 - 25 Korrik, 2023

schedule 15:59 - 25 Korrik, 2023

Kryeministri japonez Fumio Kishida dënoi të martën lëshimin më të fundit të raketave nga Koreja e Veriut. Provat e raketave u bënë vetëm pak orë pasi marina e Koresë së Jugut njoftoi se nëndetësja amerikane USS Annapolis kishte mbërritur në portin Jeju Island. Vetëm një javë më parë, një tjetër nëndetëse amerikane, USS Kentucky, u bë nëndetësja e parë me armatim bërthamor që mbërriti në Korenë e Jugut, që nga vitet 1980.

Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër drejt detit, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut të martën. Ky është hapi më i fundit në një valë provash, që duket se po bëhen në përgjigje të dërgimit nga Shtetet e Bashkuara të mjeteve të rëndësishme detare në Korenë e Jugut.

Koreja e Veriut ka lëshuar në mënyrë të përsëritur raketa balistike, të cilat rrezikojnë paqen dhe stabilitetin, jo vetëm të Japonisë, por edhe të rajonit dhe të komunitetit ndërkombëtar dhe kjo është krejtësisht e papranueshme”, tha Kryeministri japonez Fumio Kishida.

Ai shtoi se provat me raketa shkelin një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shtabi i përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se raketat u nisën pak përpara mesnatës së të hënës nga një zonë pranë kryeqytetit koreanoverior Phenian.

Të dyja raketat përshkuan një trajektore prej rreth 400 kilometrash përpara se të binin në det, pranë bregut lindor të Gadishullit Korean.

Gjatë ditëve të fundit, dy nëndetëse amerikane kanë mbërritur në Korenë e Jugut, njëra prej tyre me raketa me mbushje bërthamore, në kuadrin e përpjekjeve për të rritur praninë e mjeteve strategjike ushtarake të Shteteve të Bashkuara në rajon. Arritja e nëndetëseve përkon edhe me nisjen e bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut për të koordinuar reagimet në rastin e një lufte bërthamore me Korenë e Veriut./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!